Paraqitja e rreme e fakteve, duke i fshehur apo në çfarëdo forme tjetër mashtruese, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, përbën vepër penale. Raste të tilla janë mjaft të shpeshta në vendin tonë dhe në shumicën prej tyre bëhet fjalë për shuma të majme parash. Për një rast tillë është arrestuar një person në Prishtinë.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se i dyshuari është Shpetim Shala, 36-vjeçar.
Sipas burimeve, Shala dyshohet se në janar të këtij viti ka paraqitur dokumentet e falsifikuara në ‘Raiffeisen Bank’ për të marrë një kredi-lizing në vlerë prej më shumë se 71 mijë euro, e prej të cilave më pas kishte përfituar një veturë luksoze të tipit BMW X7.
Pas veprimeve hetimore, është konstatuar se i dyshuari është paraqitur me identitet të rrejshëm dhe ka vënë në lajthitje bankën, me ç’rast i njëjti është arrestuar sot gjatë ditës.
Shala është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin për të cilin dyshohet dhe ndaj tij është iniciuar procedurë hetimore nën dyshimin e kryerjes së dy veprave penale ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Mashtrim’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 36-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.