A rrezikohet një luftë tjetër në Ballkan? Kulla analizon klimën gjeo-politike: Rama veproi në mënyrë diplomatike

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i pranishëm në “Zonë e Lirë” analizoi situatën në veri të Kosovës. Ai tha se nuk rrezikohet një luftë e re, por tensionet do jetën të vazhdueshme. Sipas tij, serbët e kanë bërë njëherë luftën dhe e kanë humbur atë.

“Lufta është bërë njëherë. Është bërë në Kroaci, është bërë në Kosovë dhe dihet kush e ka humbur luftën. Që të ndodh ajo luftë, duhet të ketë rusë, Rusisë nuk ka, këtu ka serbë, serbët me lidershipin e tyre duhet të vendosin, sepse kisha e tyre është me kishën ruse, kurse serbët si shtet do duhet të vendosin: do rrinë këtej, apo andej. E kanë bërë njëherë një luftë dhe kanë humbur. Nuk do ketë luftë”, tha ai.

Ai dha disa të dhëna, të cilat sipas Kullës e “trembin” Serbinë në planet e saj për të nisur një luftë të re.

“Do ketë tensione të vazhdueshme, por luftë të gjerë si ajo që ka pasur në vitet 1990 nuk do ketë. Lufta frontale është mbyllur. Trazira rajonale do ketë, por luftë frontale nuk do ketë. Trazira rajonale janë si këto, në Bosnjë, Mal të Zi, në veri të Kosovës, por nuk mund të ketë sepse këto vende që janë në kufi me Serbisë janë vende anëtare të NATO-së”, tha ai.

Gjatë diskutimeve, Kulla analizoi shqetësimet e kryeministrit Edi Rama për situatën në veri të Kosovës. Ai tha se kryeministri i vendit me një mënyrë diplomatike unike për një javë ka ndryshuar retorikën politike, duke i bërë presion Serbisë për të liruar policët e Kosovës, të cilët u rrëmbyen brenda territorit të saj.

Kulla shtoi se “kërcënimi” i Ramës ndaj Serbisë është një mesazh për ndërkombëtarët.

Me një mënyrë diplomatike unike për një javë ka kthyer pozicionet e tij komplet të kundërta, dhe tani po i bën presion të qartë Serbisë: që o liro policët, ose ne s’kemi asnjë marrëdhënie me njëri tjetri,. Ai po flet me të huajt, nuk po flet me vendasit.”, tha ai.