“Nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës”.
Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters.
“Mbështetja e SHBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e shtetit të Kosovës”, tha ai, ka njoftuar zyra për media e kuvendit.
Po ashtu në takim u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon dhe integrimin në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Konjufca falënderoi senatorët Chris Murphy dhe Gary Peters për angazhimin e tyre personal në proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në çlirimin, shtetndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”.
Sipas njoftimit, Konjufca dhe senatorët amerikanë konstatuan se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është speciale dhe shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Senatorët amerikanë gjatë ditës janë takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurtin me të cilët kanë biseduar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.