Përfaqësuesi britanik shprehet optimist: Kosova shpejt anëtarësohet në KiE – Serbia t’i respektojë marrëveshjet

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në Këshllin e Evropës, John Howell, në një prononcim për televizionin “Tëvë1”, shprehu optimizmin e tij Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plotë në këtë organizatë, ndërsa shtoi se shteti më i ri në Evropë e ka mbështetjen e Britanisë së Madhe.

“Mendoj se për një periudhë të shkurtër kohore, Kosova do të bëhet anëtare më të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Jam shumë optimist për këtë çështje. Duhet ta dini që Mbretëria e Bashkuar është duke e mbështetur fuqishëm Kosovën në këtë rrugëtim të rëndësishëm”, tha Howell.

Deri në arritjen e destinacionit të dëshirueshëm, që është anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në KiE, ka ende shumë punë dhe mund të marrë shumë kohë. Prandaj, sipas Howell, tash krejt është në dorë të autoriteteve kosovare, pra që të lobojnë tek shtetet që janë më të rezervuara sa i përket këtij aspekti.

Një çështje tjetër mjaft e rëndësishme është fakti se Serbia nuk e fshehu armiqësinë e saj ndaj Kosovës, duke testuar edhe fuqitë e Bashkimit Evropian. Jo vetëm që Serbia votoi kundër, por kërcënoi shtetet që votuan pro anëtarësimit të Kosovës.

Marrëveshja e Brukselit/Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, saktësisht artikulli 4 i saj, përcakton që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, prandaj siç vlerësoi politikani britanik, shteti serb duhet t’i respektoj marrëveshjet dhe të mos e pengoj Kosovën.

“Në këtë situatë nuk do të përfitonte vetëm Kosova, por edhe Serbia, sepse kjo do të mundësonte një komunikim më të mirë mes të gjitha shteteve që janë anëtare të Këshillit. Serbia nuk ka çfarë të humbas këtu sepse të gjithë përfitojnë duke qenë anëtarë të barabartë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, tha ai.

Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin e Ministrave që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Kosovës, 33 shtete, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia – votuan pro, derisa 12 të tjera kundër ose abstenuan.

/Albanianpost.com