I pari i qeverisë ka folur për gjashtë parimet e shprehur për Asociacionin.
“Ato gjashtë parime mundësojnë që Asociacioni të mos jetë monotetnik dhe në përputhje me Kushtetutën, si dhe të ketë reciprocitet të të drejtave, strukturat ilegale duhet të shuhen e çarmatosen në veri. Në fillim të nëntorit ka pasur urdhër direkt për ç’integrim nga Beogradi”, tha Kurti.
“Unë jam kryeministër edhe i serbëve në Kosovë. Dhe këtë duhet ta pranojë Beogradi”, shtoi kryeministri.
Për propozimin e BE-së, që në opinion njihet si plani franko-gjerman, Kurti tha se është i pranueshëm dhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme.
“Është sjellur tek unë më 6 dhjetor dhe kam dhënë vëretjet e mija dhe nuk është e përshtatshme tash të flas për detajet e Bashkimit Evropian. Propozimi evropian është i pranueshëm, bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme”, tha ai.
Kurti nga gazetarët u pyet edhe për faktin se presidenti amerikan, Joe Biden në letrën e tij dërguar Vuçiqit, nuk e përmend njohjen reciproke, gjë që kishte ndodhur në dy letrat që ai kishte dërguar në Beograd në 2021 dhe 2022.
“Procesi i bisedimeve nuk ka filluar ende. Duhet të ketë takim të nivelit të lartë dhe nga bisedimet shohim se çka e kur. Normalizim të plotë pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Në çdo takim që kemi pasur me partnerët, e pranojnë se normalizimi e njohja s’mund të çahen nga njëra tjetra”, tha ai.