Deputeti gjerman, Thomas Hacker ka thënë se është mirë që Kosova e ka pranuar propozimin e Bashkimit Evropian si një bazë të mirë në negociatat për të normalizuar raportet me Serbinë.
Hacker në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se duke pasur parasysh situatën, Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që të ketë pika të nxehta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Është mirë që Kosova e pranoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si bazë për negociata. Duke pasur parasysh situatën ndërkombëtare, BE nuk duhet të lejojë më burime problemesh në rajon”, ka shkruar Hacker.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti tashmë edhe zyrtarisht e ka pranuar propozimin evropian për arritjen e një marrëveshjeje finale në dialog.
Këtë, Kurti e bëri të ditur pas vizitës së Lajçakut në Prishtinë, ku të dy u takuan në një darkë pune.
Përmes një postimi në Twitter, kreu i Qeverisë kosovare ka thënë se këtë propozim do ta konsiderojë si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.