Pas 63 vitesh ’Pa Gjurmë’ në Report Tv i gjen nënën. Emocione të papërshkrueshme për Shpëtim Boçin, i cili pa për herë të parë imazhin e nënës që e solli në jetë shkurtin e vitit 1960. Ndërsa moderatorja Odeta Dume i komunikoi mesazhin që tezja e tij dërgoi pak ditë më parë në adresë të programit, 63-vjeçari nuk i mban dot lotët. ’Pa Gjurmë’ zbuloi jetën e gruas që në moshën 15-vjeçare solli në jetë një djalë dhe që sipas përkimeve të të gjitha të dhënave është nëna e tij.
Ajo ia kishte vendosur vetë emrin Shpëtim, djalit me sy bojqielli, por e la në maternitetin e Beratit, aty nga ku u birësua nga çifti Boçi. I ftuar në studio, pasditen e kësaj të hëne shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Shpëtimi mësoi detaje nga jeta e nënës biologjike, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë 13 vite më parë. Historia e vajzës nga një fshat i një qyteti bregdetar, e cila mbeti shtatzënë e ishte mbajtur e fshehur, ndërsa muajt në vijim i kishte kaluar tek tezja e saj në një tjetër qytet. Pas kësaj ngjarje ajo do të krijonte familjen e saj, ndërsa u bë nënë e dy fëmijëve të tjerë.
Odeta Dume: Ditën që të kemi ftuar për të qenë në emision, më ka telefonuar një zonjë e cila ishte shumë e rezervuar dhe më la një takim. Në momentin që e takova më tha se jam tezja e Shpëtim Boçit
Shpëtim Boçi: (Qan)
Odeta Dume: Ajo më tregoi një histori të motrës së saj që dyshohet se është nëna jote biologjike. Kjo zonjë do të donte sot të ishte prezent në studio, por ajo i ka premtuar motrës, nënës tuaj se do ta mbajë sekret dhe se ky sekret mbetet ende i tillë në familjen e tyre. Ajo është e gatshme të të takojë.
Shpëtim Boçi: Patjetër edhe unë dua ta takoj
Stafi siguroi edhe fotot familjare duke u treguar të kujdesshëm, që me kërkese të së motrës të mos publikohet imazhi i saj, pasi as fëmijët dhe as bashkëshorti i saj nuk e mësuan kurrë këtë sekret familjar.
Odeta Dume: Unë iu luta zonjës të më siguronte një foto nga albumi saj që unë të ta jepja dhe t’i ta shikoje imazhin e nënës. Ne do tregohemi të kujdesshëm për të mos përmendur emra, pasi fëmijët e saj nuk e din që nëna ka sjell në jetë një fëmijë para martese. Fotot i kam këtu dhe do të t’i jap në këto momente…
Shpëtim Boçi: Mund t’i mbaj fotot (përlotet).
Odeta Dume: Patjetër janë të tuat
Shpëtim Boçi: Do i çoj lule tek varri. Jam i emocionuar, sa shumë do doja të ishte gjallë. Uroj që të takohem sa më shpejt me motrën dhe vëllain. Shumë faleminderit edhe nga ju! Kam fotot të paktën dhe t’i mbaj në shtëpi si kujtim
Sot Shpëtim Boçi është baba i dy fëmijëve, ndërsa prej vitesh nuk kishte reshur së kërkuari për rrënjët biologjike. 4 vite pasi çifti nga Kuçova e kishte marrë nga Shtëpia e Fëmijës, nëna birësuese e Shpëtimit mbetet shtatzëne dhe sjell në jetë një vajzë. Kështu Shpëtimi u rrit në Kuçovë ku edhe kaloi pjesën më të madhe të jetës, derisa krijoi edhe ai familjen e tij.