“Turp!”, Koci: Gjyqtarët e prokurorët rrinë në kafene dhe pinë cigare edhe gjatë orarit të punës

Avokati Arianit Koci ka kritikuar sjelljen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Pallatin e Drejtësisë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ata nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

Sipas tij, edhe pas fillimit të orarit të punës gjyqtarët dhe prokurorë vazhdojnë të qëndrojnë në kafenetë afër pallatit, duke pirë kafe dhe cigare.

Ai ka bërë me dije se këto sjellje e humbin edhe më shumë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Marrja e Zotit! Gjyqtarë e prokurorë me cigare të ndezura në kafene afër Pallatit të Drejtësisë. Tullug ishtë bërë prej tymit. Për më tepër, orari i punës fillon në orën 08.00, e vendi plot me zyrtarë. Si nuk e kuptojnë të lartëcekurit që në raport me publikun kanë përgjegjësi shtesë? Me këto sjellje, humbet edhe ai pak besim i qytetarëve, që ka mbetur në sistemin e drejtësisë”, ka shkruara Koci.

Sipas tij, në këto ambiente vetëm një gjyqtar dhe një prokuror nuk kanë ndezur cigaret. “Nëse iu është besuar nga shoqëria që të vendosin për gjënë më të shtrenjtë për individin – lirinë, atëherë është e pakuptueshme shkelja publike e ligjit prej të njejtëve. Turp për besë! P.s Për korrektësi, vetëm një gjyqtar dhe një prokuror nuk i kishin të ndezura cigaret”, ka shkruar ai.