Abbott: S’duhet të harrohet e kaluara, por Kosova e Serbia duhet të bëjnë kompromise

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, të martën ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit Filozofik.

Atyre Abbott u ka thënë se nuk duhet që të harrohet e kaluara, por që Kosova e Serbia duhet të bëjnë kompromise.

“Jam shumë krenar qe Mbretëritë Bashkuara janë në çdo hap me Kosovën. Nuk duhet harruar e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë, por duhet bërë kompromis”.“Në Ballkanin Perëndimor asnjë shtet nuk duhet ta vërë në dyshim të ardhmen. Edhe pse Mbretëritë e Bashkuara janë larguar nga Bashkimi Evropian, në e mbështesim plotësisht të ardhmen e Evropës”.

“Sot nuk kemi asnjë prioritet më të madhe se sa ta përkrahim Ukrainën deri në çlirimin e saj”.“Që nga vera e kaluar ne kemi parë shumë, por shumë shqiptarë duke shkuar në Mbretëritë e Bashkuara, e që kjo përben një problematikë në vete”.

Abbott përmendi edhe sulmet e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 duke theksuar se është bërë me qëllimin për ta ndalur një katastrofë.

“Në vitin 1999 NATO ndërhyri në Kosovë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare”.

Ai tha po ashtu se është mirënjohës për ndihmën që Kosova ia ka bërë Ukrainës, duke iu ofruar strehim gazetarëve e refugjatëve.

“Jam shumë mirënjohës për ndihmën që Kosova i ka ofruar Ukrainës qoftë duke iu dhënë strehim refugjatëve dhe gazetarëve apo mbështetjen psikologjike për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, tha Abbott. /EO/