Anipse shpesh herë flitet për rritje ekonomike, hapje të reja të vendeve të punës e zhvillim, shumë prej qytetarëve të Kosovës vazhdojnë që të ikin nga vendi.
Madje shqetësuese është ikja e madhe e të rinjve.
E një nga vendet ku ndër vite pati më së tepërmi shkuarje të kosovarëve, është Gjermania.
Por nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ende nuk janë bërë të ditura shifrat e vizave të dhëna përgjatë vitit të kaluar.
Saktësisht nga Ambasada e Gjermanisë është thënë për lajmi.net se sa i përket shifrave të vitit 2022 ende nuk ka diçka zyrtare.
“Ju lutemi keni parasysh se statistikat zyrtare të vizave për vitin 2022 do të publikohen vetëm nga Ministria e Jashtme Federale në fillim të vitit 2023”, u tha nga kjo ambasadë.
Ndryshe në vitin 2021, Ambasada gjermane kishte lëshuar 16 mijë e 826 viza Schengen, për shtetasit e Kosovës.
Në të shumtën e rasteve këto viza ishin me qëllim të turizmit, afarizmit e të tjera.
Kurse kjo ambasadë ka lëshuar edhe 17 mijë e 908 viza nacionale ( ndër to 4.442 viza pune, përfshirë viza për shkencëtarë, trajnime profesionale, praktika, punë vullnetare.
Nga Ambasada e Gjermanisë është theksuar se në 2021 janë dhënë edhe 12 mijë e 501 viza me qëllim të bashkimit familjar.
“Në po të njëjtin vit, Ambasada Gjermane Prishtinë ka qenë një nga ambasadat gjermane në mbarë botën, e cila ka lëshuar më së shumti viza”.
Ndryshe nga viti i kaluar në kuadër të kësaj ambasade pati edhe ndryshime sa i përket aplikimit për viza.
“Për të ofruar më shumë termine në kohë dukshëm më të shkurtër për aplikim për viza Schengen, Ambasada Gjermane në Prishtinë nga mesi i shtatorit të këtij viti bashkëpunon me shërbyesin e porositur dhe të kontraktuar nga Ministria e Jashtme Federale në Berlin, VisaMetric. Kontraktuesi VsaMetric ju ndihmon për të aplikuar për vizë Schengen. Ai ia përcjell dokumentacionin tuaj Ambasadës Gjermane në Prishtinë, ku edhe më tej shqyrtohen dhe merret vendim për aplikacionet. Në vazhdim kontraktuesi jua kthen pasaportën tuaj”,thuhet nga Ambasada.
Ndryshe përpos ambasadës gjermane, një numër i madh i kosovarëve për viza kanë aplikuar edhe në atë të Zvicrës.
Nga ambasada zvicerane është bërë e ditur se deri më 31 tetor 2022, ishin 38 mijë e 341 aplikime për viza nga kosovarët.
“38,341 deri më 31 tetor 2022”,u tha nga Ambasada e Zvicrës për lajmi.net.
Nga rreth 39 mijë aplikimeve gjithsej sa ishin nga kosovarët në Ambasadën e Zvicrës, ambasada i ka mundësuar pajisjen me vizë afro 34 mijë kosovarëve.
Saktësisht nga Ambasada e Zvicrës janë lëshuar 33 mijë e 804 viza, deri më 31 tetor 2022.
Nga Ambasada e Zvicrës kanë njoftuar po ashtu se në kuadër të aplikimeve për vizë ishin gjithsej 36 mijë e 484 viza afatshkurta apo viza të njohura si “Shengen”, apo të cilat shfrytëzohen deri në 90 ditë në gjysmë viti.
Në kuadër të këtyre hynë edhe vizitat familjare, turizëm apo edhe udhëtime pune.
“36, 484 vizë afatshkurtër (vizë Shengen) deri në 90 ditë në gjysmë viti (vizita familjare/miq, turizëm, udhëtime pune)”,thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Ndërsa nga të njëjtit është thënë se 1 mijë e 857 viza afatgjate (vizë ndërkombëtare), për qëndrime më shumë se 90 ditë, bashkim familjar, studime apo punë.
“1,857 vizë afatgjatë (vizë kombëtare) për qëndrime më shumë se 90 ditë (bashkim familjar, studime , punë)”.
Ndërsa në vitin 2021, ishin gjithsej 19 mijë e 737 qytetarë të Kosovës të cilët kanë aplikuar për vizë në kuadër të Ambasadës së Zvicrës.
“19,737 në 2021”,u tha në përgjigjen e ambasadës.
Nga afro 20 mijë aplikimeve, Ambasada e Zvicrës lëshoi gjithsej 17 mijë e 90 viza për kosovarët në vitin 2021.
Por numër i madh i kosovarëve jo vetëm që udhëtuan jashtë Kosovës, për vizita të ndryshme. Shumë prej tyre edhe hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës.
Në periudhën 1 janar 19 dhjetor 2022, numri i atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare është 4 mijë e 798 persona.
Sipas ministrisë së Punëve të Brendshme, prej tyre ishin 2 mijë e 346 meshkuj dhe 2 mijë e 362 femra.
Ndryshe shtetas të shumtë të Kosovës vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit, sa i përket gjetjes së një mundësie të re për shkollim apo punësim./Lajmi.net/