Vuçiq i inatosur: Millosheviqi u dorëzua në Hagë për Vidovdan, KFOR’i dorëzoi përgjigjen për Krishtlindje

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sheh komplot ndaj Serbisë në faktin që KFOR’i u ktheu përgjigje negative për kthimin e trupave serbe natën e Krishtlindjeve. Sipas tij, po të ishte përgjigja pozitive do të kishte kuptim të dorëzohej përgjigja në festë. Madje Vuçiq duke folur rreth kësaj ka bërë paralele me rastin e dorëzimit të Millosheviqit në Hagë duke thënë se ishte bërë për festën e Vidovdanit të vitit 2001. Sipas tij kjo nuk është rastësi derisa pushtetin në Serbi të asaj kohe e ka quajtur të dëgjueshëm.

Aleksandar Vuçiq s’e ka përpirë lehtë refuzimin nga KFOR’i për kthimin e trupave policore dhe ushtarake serbe në Kosovë, duke e lidhur këtë me rastin e ekstradimit të dikur shefit të tij, Sllobodan Millosheviqit në Hagë, përcjell Express.

“Por ata nuk iu referuan një pjese të rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë ta refuzojnë atë kërkesë. Ata iu referuan rregullës normative për ta ruajtur rendin. Ata bënë një gabim tjetër. Një herë kërkuan nga autoritetet e bindura në Beograd që ta ekstradojnë Millosheviqin në Vidovdan, kështu që këtë e dorëzuan në prag të Krishtlindjes. Në prag të Krishtlindjes, nëse marrim një përgjigje negative, e dimë se nuk është rastësi”, ka thënë Vuçiq për Tv Pink.
Duke krahasuar kërkesën për ekstradimin e Millosheviqit në gjykatën e Hagës për Vidovdan, ai përsëriti se mendon se përgjigja negative ndaj kërkesës së Qeverisë së Serbisë nuk ka ardhur rastësisht në natën e Krishtlindjes ortodokse.