Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar edhe njëherë për mbajtjen të politikanës Rada Trajkoviqit për disa orë në pikën kufitare në Merdare, nga Policia serbe.
Rohde ka shkruar sot se ka vërejtur se Lista Serbe, partia që përfaqëson serbët e Kosovës, nuk ka reaguar ndaj trajtimit që iu bë Trajkoviqit nga policia serbe.
“Trajtim i papranueshëm me të cilin u përball aktivistja serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq. Vërej mungesën e ndonjë reagimi nga Lista Serbe. Standarde të dyfishta?
Javën e kaluar, Trajkoviq është ndaluar dy herë nga policia serbe gjatë daljes dhe hyrjes në Serbi, kah pika kufitare në Merdare.
Gjatë herës së dytë, ajo është mbajtur gjatë gjithë natës në pikëkalim dhe ka thënë se nuk ka pasur ushqim, ujë, apo barnat për sëmundjen nga e cila vuan. Ajo e ka akuzuar pushtetin serb se po i hakmerret dhe ka thënë se është ndalur me urdhër të tyre.
Diplomati gjerman, edhe në disa raste të tjera, i është drejtuar Listën Serbe, në lidhje me zhvillimet në Kosovë. Në nëntor, kur serbët u revoltuan pas vendimit të Qeverisë për largimin nga përdorimi të targave ilegale, Rohde që e konsideronte vendim legjitim, shkroi se Lista Serbe duhet t’ua tregojë qytetarëve realitetin.