Marketing për konsum të brendshëm politik e ka quajtur Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, nënshkrimin ceremonial të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, nga krerët kosovarë të shtetit.
Nuk ka konsesus politik ndërmjet njëzet e shtatë shteteve anëtare të unionit evropian për ta shqyrtuar këtë aplikim, beson kryediplomati serb, derisa përveç pesë shteteve mosnjohëse, ai shton se ka edhe një shtet të gjashtë kundër anëtarësimi të Kosovës në BE – Hungarinë.
Në një situatë ku pesë shtete anëtare të BE’së refuzojnë të njohin shtetësinë e Kosovës, Daçiç thotë se “kurrë s’ka ndodhur që dikush të pranohet në këtë mënyrë”.
Madje, ai pretendon se “ka mundësi që presidenca çeke do t’i shmanget futjes së saj në procedurë” derisa shprehet i bindur se “pesë shtetet e BE’së që s’e kanë njohur Kosovën do të votojnë kundër saj”, duke besuar edhe se Hungaria futet në mesin e këtij pentagoni shtetesh.
“Për këtë, nevojitet konsensus, e cila nuk ekziston. Prandaj, unë e shoh për marketing politik për nevoja të brendshme në Kosovë”, ka thënë ai.
“Për neve është e pamundur që kjo të pranohet nga dikush, në një gjendje kur sjellja e [Albin] Kurtit është një nga faktorët më destabilizuese në rajon”, ka thënë Daçiç, siç e citoi e përditshmja serbe “Danas”.
Pyetur se si e komenton deklaratën e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, që ShBa kategorikisht e kundërshton “rikthimin” e një mijë trupave serbe në Kosovë, Daçiç tha se “këto deklarata nuk janë të mira”.