




Mediumi serb “Novosti” ka publikuar një kërkesë për të cilën po pretendon se është ajo që Serbia do t’ia dërgojë komandës së KFOR-it, për të mundësuar vendosjen e ushtarëve dhe policëve serbë në veri të Kosovës.
Sipas kësaj kërkese, për të cilën nuk është e sigurt nëse është zyrtare, Serbia po kërkon që trupat të vendosen në veri pasi është “e nevojshme të sigurohet mbijetesa e serbëve dhe komuniteteve të tjera”.
“Novosti”, raporton se në këtë tekst janë të detajuara arsyet pse “është e nevojshme” ardhja e trupave serbe.





“Kjo lëvizje e autoriteteve serbe, e cila padyshim do të bëhet pjesë e historiografisë, nëse shikohet në mënyrë strikte ligjore, sigurisht që nuk është një goditje boshe. Sepse dispozita e Rezolutës 1244 është formuluar në atë mënyrë që nënkupton detyrimin për të mundësuar kthimin e ushtrisë dhe policisë sonë.” – thuhet në këtë kërkesë, siç pretendohet nga mediumi në fjalë.





Por më tutje, raportohet se në kërkesën e Serbisë, thuhet se “komandanti i KFOR-it nuk ka kompetencë diskrecionale për të vendosur nëse do ta lejojë këtë apo jo, por është i detyruar të lehtësojë ardhjen e forcave serbe në veriun e Kosovës”.





“Kthimi i ushtrisë dhe policisë së Republikës së Serbisë nuk është thjesht një mundësi, por Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi obligim për KFOR-in që ta mundësojë këtë kthim.” – raportohet se shkruan në këtë kërkesë.