Vrasja e 35-vjeçares, Matoshi i reagon Osmanit e Kurtit: Nuk jeni për të vajtuar, veproni

Vrasja e 35 vjeçares shtatzënë në oborrin e QKUK-së ka ngritur reagime te shumëta në vend, raporton Gazeta10.

Krerë të shtetit e të partive politike, përmes shkrimeve në rrjete sociale dënuan rastin, derisa bënë thirrje për drejtësi.

Mirëpo, për reagimet e krerëve të shtetit, presidentes Vjosa Osmani, e kryeministrit Albin Kurti, kritika ngriti analisti politik Halil Matoshi.

Matoshi në emisionin Politiko në Kanal10 me Kushtrim Sadikun tha se krerët e shtetit nuk janë për të vajtuar, por duhet të veprojnë për të menaxhuar situata të tilla.

Ai tha se dhuna është dënuar mjaftueshëm dhe se ka ardhur koha për veprime shoqërore

“Ka kush shkruan poezi, ka kush vajton. Këta nuk janë për të vajtuar, këta janë për të menaxhuar me situatat. Nuk e di se kush po i bind me i fol këto fjalë që janë pa sens për zyrtarin e shtetit. Boll është dënuar dhuna në këtë vend, duhet veprim shoqëror”, ka deklaruar ai.

Matoshi tutje tha se në Kuvendin e Kosovës duhet të propozohet një ligj special për dhunën ndaj grave.

Ai u shpreh se rasteve të tilla duhet t’i japin më shumë prioritet gjykatat. /Gazeta10