Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi i publikuar ditë më parë nuk mund të jetë i vërtetë.
Ai thotë se nuk e kupton pse ky plan është bërë publik në këtë kohë, por që thotë se spekulime e taktizime të kësaj natyre ka pasur në vazhdimësi.
Mirëpo ai apelon që vëmendja ndërkombëtare duhet të shfrytëzohet maksimalisht.
Sipas tij, Kryeministri edhe presidentja Osmani duhet ta marrin seriozisht këtë situatë dhe të shprehin kërkesën për ta diskutuar në mënyrë që të arrihet te marrëveshja finale me njohje të ndërsjellë.
“Sa i përket planit franko-gjerman ai që është publikuar nuk mund të jetë plani i vërtetë. Nuk e kuptoj arsyen pse është publikuar një plan i tillë, por spekulimet e kësaj natyre, taktizimet e kësaj natyre ka pasur gjithmonë edhe me publikimet e të ashtuquajturve non-papers. Plani franko-gjerman në vete ngërthen mbi të gjitha një koordinim ndërkombëtar që se kemi parë në raport me Kosovën qe shumë vjet. Pra në kohën kur vëmendja e diplomacisë botërore është e koncentruar në Ukrainë dhe zhvillimet globale ky koordinim me ShBA dhe BE në raport me Kosovën dhe interesimin për ta dërguar në një nivel të ri dialogun Kosovë-Serbi duhet të merret shumë seriozisht sepse nuk ndodh shpesh që ta kemi këtë vëmendje dhe interesim ndërkombëtar”.
“Kryeministri Kurti por edhe presidentja Osmani duhet ta marrin seriozisht këtë situatë dhe të shprehin kërkesën dhe angazhimin e tyre për ta diskutuar planin franko-gjerman por për ta pranuar si të tillë tash dhe e mira është që nuk është një kërkesë mere ose leje por që të shprehin gatishmërinë e Kosovës për tu angazhuar dhe negociuar tekstin i cili duhet të rezultojë tekst final me përfshirje të sa më shumë aspirtat shtetërore të Kosovës sepse e rëndësishme është marrëveshja finale e cila duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë”.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari Krasniqi tha se asnjë Qeveri nuk e ka përfunduar mandatin, duke theksuar se as Kurti nuk do t’i bëjë katër vjet qeverisje, raporton EO.
Sipas tij, shkuarja në zgjedhje mund të ndodhë vetëm nëse kryeministri dorëhiqet, ndryshe thotë se PDK-ja është e gatshme të marrë udhëheqjen e vendit.
“Në Kosovë fatkeqësisht veçanërisht pas pavarësisë kurrë asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin. As kjo qeveri nuk besoj që do ta përfundojë mandatin ne kohë të rregullt. Por shkuarja në zgjedhje tash mund të ndodhë vetëm nëse kryeministri dorëhiqet dhe dorëzohet. Unë shpresoj që kryeministri që ka marrë besimin e kaq shumë qytetarëve nuk është njeri që dorëzohet. Nëse ai dorëzohet ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë për të udhëhequr me vendin”.