“Për dy vjet, tri herë në pallatin Elysee”, Kurti mburret me shkuarjen në Paris, Çitaku “ia bën bajat”

Njoftimin për shkuarjen e tij në pallatin “Elysee” në Paris, e takimin me presidentin e Francës, Emanuel Macron, kryeministri Kurti e ka shoqëruar me një dozë krenarie.

“Për dy vjet, tri herë në pallatin Elysee”, shkroi Kurti në njoftimin e tij në Twitter, derisa bashkangjiti edhe disa fotografi nga kjo vizitë, bashkë me presidenten Osmani.

Një detaj i tillë nuk i ka shpëtuar nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila e konsideroi “për keqardhje” këtë mburrje të kryeministrit Kurti.

Ajo ia rikujtoi Kurtit se dy nga këto tri vizita kanë qenë si pjesë e konferencave ndërkombëtare, ku janë ftuar gati të gjithë udhëheqësit e shteteve, jo vetëm ai.

Në cilësinë e një ish-ambasadoreje, Çitaku bëri një krahasim të kësaj mburrjeje të kryeministrit me kartolinat për festat e fundvitit në Shtëpinë e Bardhë.

“Si Ambasadore psh, kjo i bie sikur me i numru e me u mburrë me kartolinat e ftesat për festat e fundvitit në Shtëpinë e Bardhë, që ju shkojnë me automatizëm të gjitha misioneve diplomatike”, shkroi ajo.

“Sinqerisht, për keqardhje”.

Në njoftimin e tij, kryeministri Albin Kurti tha se me Macronin kanë folur edhe për propozimin franko-gjerman, duke thënë se shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. /Reporteri.net/