Guti sulmon Benzeman, pasi ky i fundit nuk po luan për Real Madridin: Dëshiron të luajë në Katar 2022, po e tradhton klubin

Ish mesfushori i Real Madridit, Guti, ka komentuar situatën në klub, duke e sulmuar edhe Karim Benzeman që nuk po luan.

Guti kaloi 14 vjet në ekipin e parë të Real Madridit dhe ishte kapiten, ndërsa doli në pension në vitin 2011.

Real Madridi përjetoi humbjen e parë këtë sezon në La Liga, ku u mposht nga Rayo Vallecano me rezultat 3-2.

Karim Benzema nuk luajti, sikurse që bëri edhe dy ndeshjet e mëparshme. Në fund të tetorit, Real Madridi bëri të ditur se sulmuesi francez, i cili pritet të luajë me Francën në Botërorin e Katarit, ka një problem muskulor.

“Unë nuk e kuptoj Benzeman. Leo Messi luan për PSG dhe Robert Lewandowski për Barcelonën, si shumë lojtarë të tjerë. Duhet të pranosh rrezikun e lëndimeve para Kupës së Botës, nuk mund ta tradhtosh klubin tënd”, ka thënë Guti për El Chiringuiton.

Reklama
Spanjolli nuk e kupton pse Real Madridi nuk solli zëvendësues për 35-vjeçarin Benzema.

“Të gjithë e dinim se mund të ndodhte. Nuk e kuptoj pse nuk kanë një zëvendësues për të”, nënvizoi Guti.

Kujtojmë se Benzema fitoi Topin e Artë, duke u shpallur lojtari më i mirë në botë. /Telegrafi/