Vuçeviq: Kur ke përballë Albin Kurtin nuk mund ta dish se çka mund të ndodh

“Shërbimet tona të sigurisë janë duke i analizuar të gjitha skenarët dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka të gjitha opsionet para vetes”.

Kështu të paktën ka deklaruar Millosh Vuçeviç, ministri i Mbrojtjes, një ditë pasi Qeveria e Kosovës vendosi ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar serbët, e më pas në një afat tjetër duke i gjobitur.

Pra gradacioni i implementimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat në tri javë qortim, dy muaj gjoba dhe më pas edhe dy muaj tabela provuese, sipas Vuçeviç e ka bërë më komplekse situatën në terren.

“Shpresoj që të mos ketë përshkallëzim, por kur në anën tjetër ke Albin Kurtin, nuk mund ta dish se çka mund të ndodh”, ka thënë ai raporton mediumi serb, Danas.

Për Vuçeviç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po “sillet çuditshëm” duke mos e përfillur kërkesën amerikane për shtyrjen e vendimit për targa për të paktën 10 muaj.

“Nëse bota ka një Albin Kurt, i cili mund të bëjë çfarë të dojë, atëherë bota ka shkuar në drejtim të keq. Por, serbët me siguri do të rezistojnë në mënyrë demokratike nëse ka presion, serbët nuk do t’i marrin targat e Kurtit”, ka shtuar ai.

Sipas tij të gjithë duhet të dinë se Serbia “nuk do të lejojë lojërat luftarake të Kosovës dhe se nuk do të ketë dëbime e përsëritje të situatës si në marsin e vitit 2004”.

“Ata ndoshta do të lejojnë që tabelat KM të kalojnë kufirin drejt Serbisë, por nuk do t’i lejojnë të kthehen në Kosovë”, ka theksuar ai duke përsëritur kështu fjalët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, ka theksuar më tej se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë ka marrë garanci nga një zyrtar i lartë i NATO-s, se KFOR-i do të jetë vigjilent dhe në përputhje me misionin e tij, do të mbrojë të gjithë qytetarët dhe nuk do të lejojë që kon.flikti të përshkallëzohet.