




Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përballet me kërkesa të shumta për ta shtyrë zbatimin e vendimit për targat e lëshuara për qarkullim në Kosovë nga autoritetet serbe. Ai, sot ka biseduar përmes telefonit edhe me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet.
Vetë Kurti, në njoftimin e tij, nuk ka dhënë detaje mbi diskutimin që e kanë zhvilluar rreth afatit të qeverisë për targat deri më 31 tetor, mirëpo Chollet ka njoftuar se diskutimi ka qenë për rëndësinë e shtyrjes së zbatimit të vendimit për t’i evituar tensionet.





“Fola sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu, diskutuam edhe partneritetin dhe objektivat e përbashkëta për ta avancuar integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, ka njoftuar Chollet.
Thirrjes së Chollet, i është bashkuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka shpërndarë njoftim dhe ka thënë se është e rëndësishme të shmanget tensionet dhe të shtyhet vendimi për targat.





Hovenier, gjithashtu, ka dënuar aktet hakmarrëse ndaj serbëve që tashmë kanë bërë konvertimin e targave.
“E rëndësishme që të shmangen tensonet dhe të shtyhet vendimi për zbatimin e targave. Po ashtu, ne dënojmë veprimet intimiduese apo hakmarrëse ndaj tyre që kanë konvertuar targat e tyre”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Në një njoftim të mëhershëm të Kurtit lidhur me diskutimin me Chollet, ai nuk ka treguar për kërkesat e zyrtarit amerikan, por ka thënë se e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshëm të SHBA-së për integrimet euroatlantike të Kososvës.
“Sot fola me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën për integrimin euroatlantik. Siç tregohet në @TheWJP Raporti i vitit 2022, Kosova duke u renditur si e para në WB6 dhe i dyti më i përmirësuar në nivel global, ne përsëri dëshmojmë se sundimi i ligjit shkon krah për krah me paqen, sigurinë dhe demokracinë”, ka shkruar Kurti. /GazetaExpress