Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të shihen si të tensionuara. Çështja e targave e Asociacioni janë disa nga temat kyçe për të cilat ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare. E kohëve të fundit të dërguarit special nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë shpeshtuar vizitat në të dyja shtetet. Këto vizita të emisarit të SHBA-së, Gabriel Escobar dhe atij të BE-së, Miroslav Lajçak, janë cilësuar si tregues se një marrëveshje përfundimtare është afër fundit.
Por kështu nuk mendon njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer.
Serwer thotë se emisarët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje thelbësore, por ai personalisht do ishte i habitur për të mirë nëse ata japin një marrëveshje “përfundimtare”.
Ai madje dyshon se dialogu Kosovë – Serbi do përfundojë këtë vit.
E tjetra për çfarë nuk është dakord profesori amerikan është deklarata e Escobarit se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është i përkushtuar për stabilitet rajonal. Sipas tij, Vuçiq është i përkushtuar vetëm ndaj “Serbisë së madhe”.
“Jo, nuk jam dakord. Mendoj se Vuçiq është i përkushtuar ndaj asaj që ai e quan botën serbe, me fjalë të tjera de fakto Serbinë e madhe. Kjo kërcënon destabilitetin si në Bosnje ashtu edhe në Kosovë”, tha ai.
Tutje, Serwer foli edhe për për kërkesën e SHBA-së drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta shtyejë edhe 10 muaj zbatimin e vendimit për targat. Këtë, profesori nga Johns Hopkins University e sheh nga një pikëpamje tjetër.
“Dhjetë minuta janë shumë të gjatë sipas meje. Cila është arsyeja e kësaj kërkese amerikane”, shtoi ai.
Një kërkesë që po bëhet tashmë edhe nga ndërkombëtarët është themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Por Qeveria e Kosovës është e prerë për mosformimin e tij, pasi bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Por, Serwer thotë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, mirëpo vetëm me dy kushte.
“Po, por vetëm si pjesë e një pakoje që përfshin njohjen dhe vetëm me dy kushte: 1) reciprociteti për komunitetet shqiptare në Serbi dhe 2) respektimi i kritereve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, është shprehur ai. Për të njëjtën çështje ai shpreson se nuk do të llogaritet si kusht për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian.
Tutje, eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor vlerëson se shtetit kosovar po i bëhet i padrejtë mosliberalizimi i vizave, por siç thotë ai, jeta është shpesh e padrejtë.
“Po është e padrejtë, por jeta është shpesh e padrejtë. Kosova ka nevojë për një strategji të përmirësuar për të marrë atë që dëshiron nga BE-ja”, shtoi ai.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve kanë nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së.
Kosova e ka bërë të qartë se marrëveshja finale duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, por nga pala serbe thonë se dialogu duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo njohjes.