Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka akuzuar ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti për veprimet e tij karshi dialogut me Serbinë.
Berisha ka thënë se veprimet e Kurtit përbëjnë rrëshqitje në “tradhti” ndaj Kosovës, shkruan lajmi.net.
Sipas Berishës, Kurti ka vendosur të nënshkruaj gjithçka çka atij i servohet nga të tjerët.
“Mendoj se si opozitë, në veçanti ne si PDK, duhet të insistojmë të dimë nga Kurti se çfarë do të bëj me Asociacionin dhe a do të ketë njohje nga Serbia?!”, ka thënë Berisha.
Sipas Berishës, një Asociacion me modelin e “Republika Srbska” do të shfaqte rrezikun e luftës në Kosovë.
““Zajednica” alias “Republika Srbska” si entitet ligjor me kompetenca ekzekutive, si propozim, në Kosovë nuk guxon të kaloj, ngase kjo do të përbënte një “casus beli” për luftë!”, ka thënë tutje Berisha.
“Sot, është një sekret publik që dihet, se Hashim Thaçi pikërisht për shkak që nuk i pranoi këto marrëveshje të dëmshme, është i akuzuar në Hage”, ka thënë tutje ai.
Madje sipas deputetit të PDK-së, çdo e keqe për Kosovën do të largohej nëse Kurti do të ikte nga pozita e kryeministrit.
Deklarata e plotë e Berishës:
Kisha paralajmëruar Rrëshqitjen kah tradhtia të Albin Kurtit
Kisha paralajmëruar se, puna më me prioritet për ketë qeveri është implementimi i marrëveshjeve të arritura me garantimin ndërkombëtarë të SHBA. Theksin po e vë të krijimi i Asociacionit me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e Asocicionit dhe Statutin.
Reformatimi kurtian i dialogut dhe marrëveshjeve, është ridimensionim i dialogut me qëllim të akomodimit të interesave nacionale serbe.
Marrëveshja e zotimeve në Uashington, duhet zbatuar me prioritet sepse i mundëson Kosovës të ecën e papenguar përpara, pasi të arrihet marrëveshja gjithpërfshirëse finale sipas zotimeve të Uashingtonit me njohjen e ndërsjellë.
Vonesat që po shkaktohen në proces, shkaktojnë vazhdim të statusquosë e kjo është në interesin e Rusisë, me ketë edhe të Serbisë.
Por, rrethanat e reja pas Luftës në Ukrainë dhe rritjes së agresivitetit rus në rajon, do i venë në pozita shantazhuese vendet vendimmarrëse të Evropës edhe në raport me Kosovën, duke bërë presion politik diplomatik për mbylljen e procesit.
Në planin e politikës së jashtme, Kosova ka ecur përpara kur Amerika dhe Britania janë kthyer në qendra të vendosjes kurse angazhimi i Frances dhe Gjermanis mbesin të mirseardhura meqë janë portat e integrimit evropian të Kosovës, gjithmon në harmonizim gjeostrategjik dhe gjeopolitik me SHBA dhe aspirarat tona për integrime tejatlantike. Prandaj diplomacia kosovare nuk duhet të lejoj të ndodh nxjerrja e Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika, interesim ky direkt që shkon në favor të Rusisë.