Vajza e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeleine Albright, Alice Albright, e ka vizituar Kosovën pas investimeve disamilionëshe të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, shefe ekzekutive e së cilës është Alice Albright, është një ndër investitorët më të mëdhenj në botë.
Disa miliona euro nga kjo kompani janë investuar edhe në Kosovë.
Kosova dhe MCC-ja e kanë nisur partneritetin më 12 shtator 2017, kur presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, kishte nënshkruar marrëveshje për investimin e 49 milionë eurove në efiçiencë të energjisë dhe luftë kundër korrupsionit.
Por, përgjatë këtyre viteve sa ekziston marrëveshja, ka pasur edhe çarje të raporteve mes dy vendeve, gjegjësisht mes Kosovës dhe MCC-së. Më 13 mars të vitit 2020, MCC-ja pati pezulluar programet e zhvillimit ekonomik në Kosovë për shkak të mosheqjes së tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, “Kurti 1”.
Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte shifrën prej 50 milionë dollarësh.
Qeveria u tërhoq nga tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe, mirëpo bllokimi i fondeve për Kosovën nga MCC-ja vazhdoi edhe më tej, tani për shkak të vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë nga qeveria e atëhershme e “Kurti 1”, gjë që ishte kundërshtuar nga SHBA-ja.
Pas prishjes së koalicionit qeverisës LVV-LDK, dhe formimit të qeverisë nga LDK-ja me partitë tjera, masa e reciprocitetit u shfuqizua. Menjëherë, MCC-ja pati njoftuar më 6 qershor se i kishte zhbllokuar fondet e saj për Kosovën dhe se do të rifillonte zbatimi i programeve të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ndërkaq, më 27 korrik të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja 236 milionëshe.
Sipas kësaj marrëveshjeje, do të rritet fleksibiliteti i rrjetit energjetik të vendit dhe do të zvogëlohet kostoja e sigurimit të energjisë.
Shefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e cila është vajza e tashmë ish-sekretares së ndjerë amerikane Madeleine Albright, erdhi në Kosovë me rastin e përmbylljes së programit pesëvjeçar të pragut.
Ajo të hënën është takuar me presidenten e vendit Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca. Ndërkaq, sot ishte në lagjen Ulpiana në Prishtinë, për të bërë inaugurimin e soliterëve të renovuar pikërisht nga MCC-ja. Aty ajo u takua edhe me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, si dhe drejtorin e Fondacionit të Mileniumit në Kosovë (MFK), Petrit Selimi.
Pas kësaj, ajo e ka vizituar edhe Vitinë, ku është nderuar me titullin “Çelësi i Qytetit”, nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.