




Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka raportuar të enjten në Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhim të krizës energjetike.
Fokusi kryesor i anëtarëve të opozitës ishte arsyeja pse KEK nuk e importoi vetë rrymën me 20 milionë euro e qeverisë dimrin e kaluar, por ia la kompanisë private KESCO.
Kjo nuk është problem për Krasniqin.





“Ne e kemi bërë organizimin, kurse tregtinë me energjinë elektrike ua kemi deleguar atyre, nën mbikëqyrjen tonë”, sqaroi ai, njofton Klan Kosova.
Por opozita po insiston se këtu ka shkelje, pasi agjenti i angazhuar nga KESCO për blerje të energjisë në bursë vetë “Holding Slovenska Elektrarne” nuk ka licencë në Kosovë. Për këtë, KEK-u ka marrë vërejtje edhe nga Rregullatori, por që s’është zbrapsur.
“A ju ka njoftuar ZRRE që ta ndërpreni kontratën me këtë operator”, pyeti deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Ne nuk kemi bërë marrëveshje me ta, ne kemi bërë marrëveshje me KESCO-n”, u arsyetua shefi i KEK-ut.





Krasniqi tha se këtë ia lejon Ligji për Energjinë Elektrike, meqë KESCO ka licencë.
“Palët që kanë licencë nuk kanë nevojë për licencim”, interpretoi ai.
Rrjedhimisht, nuk e ka ndalur tregtinë me HSE-në, as pas vërejtjeve. Kryeshefi i është i bindur se s’e ka gabim që nuk po e dëgjon ZRRE-në. Sipas tij, të dy institucionet kanë interpretime të ndryshme sa i përket këtyre normave ligjore. Vlerëson se as nuk e ka shkelur marrëveshjen me ministrinë e Ekonomisë.
Arsye pse kompetencat e importimit të rrymës i kaluan KESCO-s janë dhe gabimet që KEK ka bërë në fillim.