Kombëtarja e Kosovës ka mësuar orarin e saj për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian 2024. ‘Dardanët’ ndeshjen e parë do ta luajnë si mysafir ndaj Izraelit, e cila do të zhvillohet më 25 mars 2023, transmeton Gazeta Metro.
Sot në Frankfurt të Gjermanisë u hodh shorti për kualifikimet e Kampionatit Europian. Kosova u rreshtua në grup me Kombëtare si Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra.
Pas ndeshjes së parë me Izraelin, në ‘Fadil Vokrri’ Kosova do të jetë nikoqire e Andorrës, për të mbyllur ndeshjet e muajit mars.
Në muajin qershor Kosova do t’i zhvillojë gjithashtu dy sfida. Së pari më datën 16 do të përballet me Rumaninë në ‘Fadil Vokrri’, ndërsa tre ditë më vonë është mysafire e Bjellorusisë.
Ndeshjen e shumëpritur atë me Zvicrën, ‘Dardanët’ do ta luajnë më 9 shtator në Prishtinë, kurse më 12 shtator ndaj Rumanisë. Dhe, tre ditë më pas do të udhëtojnë drejt Andorrës.
Në tetor, Kosova do ta ketë vetëm një ndeshje atë me Izraelin me datë 15. Ndërkaq, dy ndeshjet e fundit do t’i zhvillojë me Zvicrën më 18 nëntor dhe kundër Bjellorusisë më 21 nëntor në ‘Fadil Vokrri’.
KËTU mund të gjeni orarin e plotë të ndeshjeve të grupit I. /gazetametro.net