Pasi Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të njohur si OPEC+, vendosën të ulin prodhimin e naftës me dy milionë fuçi në ditë duke filluar nga nëntori, demokratët në Kongresin amerikan propozuan një projekt-ligj për tërheqjen e trupave amerikane nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Projektligji i paraqitur nga tre demokratë, thotë se aktualisht në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhen rreth 5000 trupa amerikane dhe theksohet se këto trupa duhet të tërhiqen brenda 90 ditëve pas miratimit të ligjit, si dhe Sistemet e mbrojtjes ajrore të vendosura në rajon si Patriot dhe THAAD duhet të tërhiqen.
“Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë mbështetur në praninë ushtarake amerikane për vite me radhë për sigurinë e tyre personale dhe fushat e naftës. Edhe pse këto vende po punojnë në mënyrë aktive kundër nesh, ne nuk shohim arsye për të ruajtur praninë tonë ushtarake atje”, thanë përfaqësuesit që përgatitën projektligjin.
Ata theksuan se ky vendim paraqet një pikë kthese në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Gjirit.
“Nëse Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duan të ndihmojnë (Presidentin rus Vladimir) Putin, ata duhet të kujdesen edhe për veten e tyre në aspektin e mbrojtjes”, thanë përfaqësuesit e SHBA.
Projektligji u nënshkrua nga përfaqësuesi i Illinois, Sean Casten, përfaqësuesi demokrat i Nju Xhersit, Tom Malinowski dhe përfaqësuesja e Pensilvanisë, Susan Wild.
Projektligji fillimisht duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe më pas nga Senati, pas së cilës duhet të marrë miratimin e presidentit amerikan Joe Biden.
Prodhimi i reduktuar
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të njohur si OPEC+, ranë dakord të mërkurën të ulin prodhimin me dy milionë fuçi në ditë nga nëntori, krahasuar me nivelet e prodhimit të gushtit.
Në takimin e parë personal që nga marsi 2020, 23 anëtarë të grupit mbajtën takimin e 33-të ministror me temën e vëllimit të prodhimit.
Grupi vuri në dukje pasigurinë që rrethon ekonominë globale dhe perspektivën e tregut të naftës dhe theksoi “nevojën për të përmirësuar udhëzimin afatgjatë për tregun e naftës“.
Kohëzgjatja e Deklaratës për Bashkëpunim u zgjat deri më 31 dhjetor 2023.
Takimi i radhës i anëtarëve të OPEC-ut dhe vendeve joanëtare është caktuar për më 4 dhjetor.
OPEC+ uli prodhimin ditor të naftës së papërpunuar me afërsisht 10 milionë fuçi në prill 2020 për shkak të një rënie të mprehtë të kërkesës pas fillimit të pandemisë COVID-19.
Ndërsa ekonomitë globale dhe kërkesa për naftë filluan të rimëkëmbeshin nga prilli 2021, filloi lehtësimi gradual i këtyre shkurtimeve.
Vendet anëtare ranë dakord të ulin prodhimin me 100,000 fuçi në ditë në tetor.