Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me bashkëshorten dhe vajzën e tij, ka parë nga afër veprat artistike të ekspozuara nëpër Prishtinë në kuadër të festivalit Manifesta.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti ka treguar që në 25 vendet në kryeqytet, ku janë të vendosura veprat e ndryshme të artit, të gjitha vizitat janë pa pagesë.
“Edhe 25 ditë të Manifesta-s në 25 vende në Prishtinë. Bashkë me Lean dhe Ritën vizituam veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtar që janë pjesë e Biennales nomade të artit, Manifesta”, ka shkruar ai, duke renditur edhe listën e vendeve ku gjenden veprat.
Sot nga qeveria e Kurtit është dorëhequr ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi mirëpo kryeministri Kurti ende nuk ka dhënë një koment për këtë vendim të ish-ministrit që e kishte ftuar të bëhej pjesë e kabinetit të tij. Latifi ishte një ndër ministrat më të kritikuar për mungesë rezultatesh në sektorin që e udhëhiqte.