Daut Haradinaj nga AAK ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të ekzekutojë pagat e mësimdhënësve për muajin shtator.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani”, Haradinaj ka thënë se në kohën kur të gjitha mekanizmat lëshojnë para në qarkullim për shkak të krizës, nuk mund të ndalen pagat e mësuesve,
“Nuk mundesh me i lënë mësuesit pa paga, në kohën kur krejt agjencitë lëshojnë paga. Jo në emër të asaj se kush nuk punon, nuk paguhet”, ka thënë ai.
Haradinaj ka vlerësuar se Ligji i Pagave, që është vonuar për t’u miratuar nga qeveria, do t’i zgjidhte pakënaqësitë e shumta të punëtorëve në sektorin publik.
“Jemi pro-arsimit, pro-grevës sepse qe një vit nuk po miratohet Ligji i Pagave”, ka thënë ai.
Sipas ish-deputetit, qeveria po jeton në paranojë. Ai ka thënë se opozita ka të drejtë të mbështes grevat dhe sindikatat.
“Ata po jetojnë në paranojë… edhe nëse opozita i jep mbështetje, është legjitime”, ka deklaruar Haradinaj.
E sipas tij, qeveria ka para për të paguar pagat si dhe rritjen e kërkuar prej 100 eurove. Ai ka kërkuar nga qeveria që të mos bëhet koprrace para mësimdhënësve.
“Meqenëse është arsimi në pyetje, qeveria nuk duhet të tregohet koprrace, por t’i realizoje pagat e mësuesve. Sepse i kanë mjetet, sot në bunkerët financiar të qeverisë, janë 800 milionë euro”, ka thënë ai. /GazetaExpress