Vucic ‘braktisi’ Dodik: Presidenti serb sulmohet nga media e djalit të Dodik për komplot të rrëzimit nga pushteti

Mediat serbe në Bosnje e Hercegovinë pro Milorad Dodik kanë sulmuar presidentin serb Aleksandar Vucic me pretendimin se ky ia paska mësyrë të rrëzojë atë nga pushteti. Para zgjedhjeve të 2 tetorit në Bosnje e Hercegovinë, lideri kontrovers serb Milorad Dodik ishte mbështetur si nga Vladimir Putin e Viktor Orban, por mungoi mbështetja publike e presidentit serb Aleksandar Vucic, transmeton Gazeta Metro.

Ishte portali banjaluka.net në pronë të Igor Dodik, i biri i Milorad Dodik, që ka publikuar të martën një tekst ku pretendohet një komplot nga presidenti serb Aleksandar Vucic për të ndërhyrë në vullnetin politik të komunitetit serb në Bosnje e Hercegovinë..

Në këtë tekst është Serbia dhe vet presidenti serb Vucic që dyshohen se qëndrojnë para atyre që kanë paralajmëruar protesta në Republika Srpska për shkak të ‘vjedhjes së pretenduar të zgjedhjeve’.

Në artikullin e banjaluka.net është theksuar një anekdotë që pretendon se shpjegon se çka ndodhur në zgjedhjet e fundit. Krahasojnë Vucic me Slobodan Milosevic.

“Është një anekdotë rreth asaj se si Ivica Dacic e kishte njoftuar Slobodan Milosevic rezultatet e 5 tetorit të 2000’së. Kur e pyeti Milosevic nëse kishin fituar, Dacic i ishte përgjigjur: “Natyrisht shef. Po ata ishin më të mirë”.

Para zgjedhjeve të 2 tetorit në Bosnje e Hercegovinë kishte incidente të raportuara mes Beogradit dhe Srpska’së, ky dy zyrtarë të lartë të partisë progresive të Serbisë së Vucic, ishin ndaluar dhe arrestuar në Banja Luka nga policia lokale.

Dodik sipas rezultateve zyrtare i ka fituar zgjedhjet në Srpska që janë kontestuar nga kundërkandidatja e tij Jelena Trivic, nga Partia e Progresit Demokratik.

Milorad Dodik është sanksionuar nga SHBA’ja sipas aktit ligjor Magnitsky të Kongresit Amerikan për destabilizim të rajonit. Ai është kritikuar gjerësisht për kërcënimet e tij të shkëputjes nga Bosnja e Hercegovina dhe mosrespektimin e Marrëveshjes së Dayton që solli paqen në Bosnje e Hercegovinë./gazetametro.net