Në përvjetorin jubilar të demonstratave të 1 tetorit të vitit 1997, i ftuar në emisionin “n’Demos” ka qenë njëri nga liderët e atyre protestave, Muhamet Mavraj. Ky ka folur për disa nga prapaskenat e atij organizimi që ngriti në këmbë qindra mijëra njerëz.
Mavraj ka folur për takimet me ish-presidentin Ibrahim Rugova, nga i cili kërkonin përkrahje direkte për organizmin “rebelor” të tyre.
“Nuk kam qenë më i ashpër, por kam qenë i drejtpërdrejt, në dy takimet e para nuk kam shku për shkak të krijimit të një klime pak më të mirë të bisedimeve sepse unë isha kritik i tij. Në takimin e parë është bë një gabim në paraqitjen e kërkesave, janë habitë kanë thënë kanë me u bë me 1 shtator demonstratat, Rugova ka thënë s’ka kohë për një gjë të tillë. Ne e shtyjm për 1 tetor në mënyrë që ai të del të na përkrahë publikisht, ai doli dhei a arritëm qëllimin”, ka deklaruar Muhamet Mavraj.
Tre organizatorët e parë të kësaj proteste ishin Mavraj, Dugolli dhe Lajçi, ndërsa kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti u ishte bashkur në fund.
“Në konferencën e parë për media, na ka lënë një dy ditë pa gjumë, unë isha i interesuar që të dalim të katërt bashkë, unë, Dugolli, Lajçi dhe Kurti. Albin Kurti erdhi pas një kohe, në gusht, i fundit që u bashkua me ne ishte Kurti”, është shprehur ai.
Bashkëpunëtori i Kurtit ka rrëfyer një moment kur ky i fundit kishte përgatitur një fjalim për ta deklaruar në konferencë për media, por duke mos pasur asnjë paraqitje publike, ai kishte frikë.
“Shokët e mia kishin shumë frikë për të dal para mediave, pasi ishte bërë një gabim me Rugovën dhe e kishim ndjenjën e përgjegjësisë që të krijonim përshtypjen e parë në publik. U mundova me i trajnu pak, po nuk dhezi. Më kujtohet se Albini e ka pas një fjali shumë të mirë, ku kishte shkruar “Nga objektet universitare s’kemi dalur me marrëveshje dhe s’do të kthehemi me marrëveshje”, i thash shumë e mirë është po ai kishte shumë frikë. Meqënëse takimi i dytë me Rugovën do të mbahej të nesërmen, jam detyru që titullin gazetave t’ua shkruj unë, se jam i sigurt se do ta detyrojmë kryetarin e Rugovës që do ta detyrojmë, atij si ka ardhur mirë, por përkrahjen e morëm”, ka përfunduar Mavraj.