Vuçiq e takon këshilltarin kryesor të Biden: Folëm për Kosovën, ai është e ardhmja e politikës amerikane

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq thotë se ka pasur një takim shumë të hapur dhe të sinqertë me këshilltarin e presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili ka zgjatur një orë më shumë se sa ishte planifikuar. Ai tha se nuk ka qenë e lehtë të merren vesh për disa çështje.

Vuçiq, duke folur për mediat në Nju Jork, tha se takimi me Jake Sullivan ishte ndoshta një nga takimet më të rëndësishme.

“Folëm edhe për ekonominë, të gjitha çështjet e rëndësishme politike, aspiratat e Serbisë, rajonit, Kosovës, gjithçka”, tha Vuçiq.

Nuk është e lehtë të biesh dakord për disa çështje, theksoi Vuçiq, por shton se biseda ishte shumë e hapur dhe e sinqertë.

“Dhe kur biseda është e hapur dhe e sinqertë, gjithmonë duhet të sjellë ndonjë përfitim, nuk mund të them gjithmonë se duhet të jetë e dobishme, por sjell disa të mira”, theksoi Vuçiq.

Ai gjithashtu tregon se Sullivan është e ardhmja e politikës amerikane dhe se ai është në një pozicion të tillë për të vendosur për çështjet kyçe të botës, luftën dhe paqen.

“Ne i kemi shqyrtuar të gjitha çështjet. Unë thashë se cilat janë qëndrimet e Serbisë dhe theksuam se e rëndësishme është që bashkërisht të bëjmë çmos që të rrisim aktivitetin ekonomik mes Serbisë dhe Amerikës, të kemi gjithnjë e më shumë investitorë”, tha Vuçiq.

Vuçiq vlerësoi se në Nju Jork ka pasur shumë biseda dypalëshe, duke përfshirë edhe një takim me shefin e diplomacisë kineze, Ëang Yi , me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kinës.