Një samit i ri ndërmjet liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor po planifikohet të mbahet në fillim të dhjetorit.
Dallimi i këtij samiti me samitet e tjera të mbajtura ndërmjet unionit dhe Ballkanit Perëndimor qëndron në faktin se nikoqiri i këtij takimi do të jetë njëri nga shtetet e rajonit.
Kështu të paktën raporton Radio Televizioni shtetëror serb, “RTS”, duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel.
“Samiti me shumë gjasa do të mbahet në Shqipëri ose Maqedoninë e Veriut”, raporton RTS bazuar në burime diplomatike.
“Ky takim do të jap një sinjal të ri, të fortë të përkushtimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, me një mesazh për vendet e rajonit që të përfitojnë nga mjedisi politik i krijuar rishtazi në Evropë, në mënyrë që të përmirësohet procesi i anëtarësimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura çështjet në rajon”,
Në Bruksel vlerësojnë se lufta në Ukrainë ka forcuar ndërgjegjësimin në Evropë për rëndësinë e politikës së zgjerimit, gjë që dëshmohet edhe nga gatishmëria e treguar për të bërë përparim të shpejtë në bisedimet me Ukrainën dhe vendet e tjera që nuk ishin pjesë e procesit deri vonë.
“Është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos qëndrojnë mënjanë dhe të humbasin momentin për përparim më të shpejtë. Muajt në vijim do të kërkohen rrugë për progres konkret në çështje si fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut, progres konkret në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkesa për liberalizimin e vizave”, raporton më tej RTS.
Para samitit të dhjetorit, në Pragë më 6 tetor do të mbahet samiti i “Komunitetit Politik Evropian” me iniciativën e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Përveç liderëve të 27 anëtarëve të BE-së, në atë takim do të ftohen edhe liderët e 17 vendeve të tjera, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor – Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, si dhe Turqia, Norvegjia, Lihtenshtejni, Zvicra, Britania e Madhe, Islanda, Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Armenia dhe Azerbajxhani, raporton agjencia “Anadolu”.
Temat kryesore që do të diskutohen në takim do të jenë sulmi rus ndaj Ukrainës, kriza energjetike dhe situata ekonomike.
Takimi i parë i “Bashkësisë Politike Evropiane” do të mbahet më 6 tetor në margjinat e Samitit të BE-së në Pragë.
Një ditë më pas, liderët e BE-së do të mbajnë takimin e tyre të planifikuar.
Gjatë takimeve do të diskutohen shumë tema si siguria, stabiliteti, energjia, klima, transporti dhe ekonomia.
Në fund të ditës do të mbahet darka finale, ku liderët pritet të zhvillojnë bisedime dypalëshe.
Ideja e të ashtuquajturit “komunitet politik evropian” u fut në rendin e ditës nga presidenti francez Emmanuel Macron në Samitin e Liderëve të BE-së të mbajtur në qershor.