Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajçinovci ka thënë se nuk është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai që po i ikë dialogut, por sipas tij, është Serbia.
Ai ka thënë se është e dukshme që pala serbe nuk ka interes për dialog.
Sipas Bajçinovcit, arsyeja pse Vuçiq kërcënon është sepse tashmë po zbatohet reciprociteti në kufi,
“Po shihet që serbët nuk kanë interes për dialog. Presidenti serb gjithmonë kërcënon sepse reciprociteti tashmë ka hyrë në fuqi”, ka theksuar ai.
Kur është pyetur nga gazetari Jupolli nëse refuzimi i Serbisë për të dialoguar shpie në luftë, ai është përgjigjur: “Jo, nuk do të thotë”.
“Problemi është këtu kush lëshon pe”, ka vazhduar ai.
Sipas vlerësimit të deputetit, në vitet e mëhershme presionin më të madh e ka bartur Qeveria e Kosovës. Ai ka thënë se përkundër presionit, reciprociteti po zbatohet tani.
“Çdoherë shumicën e presionit e ka bartur Kosova. E patë që qeveria e pati një presion për cështjen e dokumentacionit… jo shtyje një muaj, jo dy, jo tre… jo nuk po e shtyjmë më”, ka deklaruar ai.
Bajçinovci ka folur edhe për dokumentin kornizë për dialogun që u publikua nga media, që sipas tij është i dyshimtë. Ai ka thënë se pas demantit për dokumentin, nisën debatet dhe parashikimet për zgjedhje në pranverë.
“Kur doli kryeministri i Kosovës e demantoi e pastaj edhe qeveria gjermane e demantoi këtë, pastaj dolën dhe thanë që do të kemi zgjedhje në pranverë. Bisedimeve nuk po i ikë Kurti, por po i ikë Serbia”, tha ai. /GazetaExpress