Në Bosnje e Hercegovinë nuk flitet as për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnje-Hercegovinës janë të vetmit në rajon të cilët mes shteteve të tyre kanë pengesa të rrepta lëvizjeje.

Kjo për shkak se brenda Bosnje dhe Hercegovinës, tash e sa vjet, nuk arrin të krijohet konsensus i brendshëm politik për çështjen e njohjes së Kosovës e, madje, as për lëvizjen e lirë mes të dy vendeve. Kjo duket e pakuptimtë për anëtarin boshnjak të presidencës Shefik Xhaferoviq.

I pyetur nga RTK nëse ka ndonjë hap përpara drejt lirisë së lëvizjes, ai tha se kjo temë as që është diskutuar deri më tani.

“Bosnja e Hercegovina dhe Kosova kanë një regjim të ashpër të lëvizjes së njerëzve, të mallit dhe kapitalit. Askund nuk ka një regjim më të rreptë. Serbia ka një qasje më liberale dhe të gjitha vendet tjera. Dhe unë mendoj se është në interes të Bosnje e Hercegovinës që njerëzit që jetojnë në Bosnje dhe ata që jetojnë në Kosovë do të duhej të punohej në atë që të hiqej ky regjim dhe njerëzit të lëvizin lirshëm. Në këtë moment, as në këtë pikë, nuk ka konsensus në Bosnje dhe Hercegovinë. Por unë besoj se do të vije koha që, të paktën, për liri të lëvizjes të arrihet pajtueshmëri, sepse kjo është në të mirën e të gjithë njerëzve, sepse, si pasojë e këtij regjimi, po pësojmë dëme nga të dyja anët”, deklaroi Xhaferoviq.

“Krejt kjo për çfarë po flas kam punuar gjithë kohën prej 4 vjetësh që jam në presidencë, por nuk ka konsensus brenda presidencës së Bosnje e Hercegovinës”, tha, mes tjerash, ai.