Nëse jeni duke luftuar me humbjen e peshës dhe dëshironi të heqni qafe kilogramët e tepërt, përpiquni të kaloni pak kohë jashtë dhe të shijoni diellin menjëherë pasi të zgjoheni. Kështu do të humbni peshë, sugjeron hulumtimi më i fundit amerikan. Studiuesit u kërkuan disa njerëzve, me një moshë mesatare 30 vjeç, të mbanin një monitor dore që mat ekspozimin e tyre ndaj diellit të mëngjesit.
Po kështu, ata mbanin një ditar ushqimor për shtatë ditë rresht, në të cilin regjistronin sa kalori kishin konsumuar atë ditë. U zbulua se njerëzit që kalonin më shumë kohë në diellin e mëngjesit kishin një indeks më të ulët të masës trupore, pavarësisht nga niveli i aktivitetit të tyre gjatë ditës, mosha apo marrja e kalorive.
Ekspertët pohojnë se ekspozimi në diellin e hershëm të mëngjesit, në ndryshim nga më vonë gjatë ditës, është një impuls me të cilin sinkronizohet bioritmi ynë i brendshëm.
Kjo e bën më të lehtë krijimin e një rutine gjumi, e cila ndihmon metabolizmin të funksionojë në mënyrë më efikase.
Sigurisht, sa më i shpejtë të jetë metabolizmi, aq më lehtë është të humbni kilogramët e tepërt. Si një arsye tjetër, studiuesit përmendin cilësinë e dritës së mëngjesit: është më e fortë se drita e pasdites sepse përmban më shumë dritë blu. Janë pikërisht këto rreze blu që kanë ndikimin më të fortë në bioritmin tonë.