Tashmë një kohë të gjatë je i shtrirë në krevat, sillesh, rrotullohesh, shikon në një pikë.
Bën çdo gjë që të mund t’i mbyllësh sytë dhe të flesh gjumë, por nuk të shkon për dore, por aspak nuk ta bën të lehtë fakti që është ora 4 e mëngjesit.
Vetëm të menduarit për atë që nuk mund të flesh, mund të çojë në brengosje e cila nga gjendja e zakonshme krijon brengën e përhershme.
Në atë rast paraqiten metoda të njohura me emrin “higjiena e gjumit”. Po, madje edhe kjo ekziston, sepse disa njerëz nuk mund të flenë menjëherë sapo t’i mbyllin sytë.
Higjiena e mirë e gjumit është një mënyrë jetese. Ajo përfshin bërjen e ushtrimeve fizike rregullisht dhe në kohën e duhur gjatë ditës. Ushtrimet në mëngjes ose pasdite ndihmojnë që të na vijë gjumë kur është koha për të vajtur në shtrat. Por, në rast se ushtrimet bëhen kur afrohet ora për të fjetur, gjumi mund të ikë.
Gjithashtu filmat emocionues ose leximi që të thith krejt mund të na e largojnë gjumin. Para se të shkojmë për të fjetur, mund të jetë më mirë të lexojmë diçka çlodhëse, të dëgjojmë muzikë të qetë ose të bëjmë një banjë të ngrohtë.
Specialistët thonë se mund ta mësoni trurin që ta lidhë shtrirjen në krevat me gjumin, duke u shtrirë vetëm kur keni vërtet ndërmend të flini. Njerëzit që hanë, studiojnë, punojnë, shohin televizor ose luajnë me videolojërat në krevat mund ta kenë më të vështirë që t’i zërë gjumi.
Përgatitja e trupit për të bërë një gjumë çlodhës përfshin edhe të jeni të kujdesshëm me gjërat që hani dhe që pini. Ndonëse pijet alkoolike mund të bëjnë që njeriu të ndihet i përgjumur, në të vërtetë ato mund ta keqësojnë cilësinë e gjumit.
Kafja, çaji, kakaoja, çokollata dhe pijet me kola duhen shmangur natën, sepse nxjerrin gjumin. Nga ana tjetër, pak mango, pak patate të ëmbla, banane, hurma japoneze, orizi, bishtajoret, arrat, lajthitë ose bajamet, nxitin prodhimin e serotoninës, dhe kështu mund të ndjellin gjumë.
Një paralajmërim i vogël: të hash rëndë natën mund të jetë po aq e dëmshme për gjumin, sa edhe të shkosh në krevat me stomakun bosh.
Po kaq i rëndësishëm, sa ç’janë gjërat që bëjmë zakonisht para gjumit, është edhe ambienti ku flemë. Temperatura e kënaqshme, një dhomë e errët dhe pa zhurma, si edhe dysheku e jastëkët e rehatshëm, sikur të ftojnë të bësh një gjumë të mirë. Në fakt, kur ndihemi kaq rehat, mund ta kemi të vështirë të ngrihemi nga shtrati mëngjesin tjetër.
Por mbani mend, qëndrimi në shtrat më gjatë nga ç’është e nevojshme, madje edhe në fundjavë, mund t’ju prishë regjimin e gjumit dhe mund ta keni më të vështirë të flini natën tjetër.
Sigurisht që nuk do të dëmtonit me dashje ndonjë nga organet tuaja jetësore. Gjumi është po kaq jetësor. Është një pjesë e jetës që nuk duhet lënë pas dore ose të nënvlerësohet. Në fund të fundit, një të tretën e jetës e kalojmë duke fjetur.