Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala ka thënë se funksionimi i presidentes Vjosa Osmani është shumë i reduktuar.
Shala në emisionin ‘Pressing’ në T7 thotë se reduktimi i funksionit të saj mund të lidhet me mënyrën se si është bërë presidente. Sipas tij, Osmani është bërë presidente nga një proces zgjedhor në një marrëveshje koalicioni nga zgjedhjet e fituara.
“Më duket shumë e reduktuar. Funksioni i presidentit në Kosovë nuk përbën një nga pushtet në Kosovë. Nuk ka pushtet në kuptimin kushtetues. Në anën tjetër, Presidentja Osmani ka ardh nëpërmjet një procesi zgjedhor, elektoral në një marrëveshje koalicioni që i ka fituar zgjedhjet. Është tepër e vështirë të shkëputet nga origjina elektorale. Ndoshta burimi i vërtet i reduktimit të funksioni të saj është pikërisht te ky fakt”, tha Shala.
Mes tjerash, deputeti i LDK’së theksoi se që nga koha kur Vjosa Osmani është bërë presidente e vendit, ai e ka takuar vetëm dy herë, dhe atë vetëm në formate formale.
“Presidenti nuk mund të jetë i lidhur elektoralisht me shumicën. Duhet të përfaqësoj unitetin e popullit dhe funksionimin e institucioneve. Funksionimi i institucioneve nuk nënkupton vetëm interesin e shumicës, në këtë rast, presidentja e ka këtë mungesë tepër të madhe. Se si manifestohet konkretisht nuk di të them, sepse nga dita që është bërë presidente e kam takuar vetëm 2 herë në formate formale”, tha ai.