Jasharaj: Ka tendenca për të na përçarë, por greva nuk do të thyhet

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur pas paralajmërimeve të një shkolle në Gjakovë për ndërprerje të grevës.

Këshilli i Mësuesve të Shkollës Fillore “Kelmend Rizvanolli” ka vendosur që nga dita e mërkurë ta ndërpresin grevën dhe të fillojnë mësimin.

Valma Kamishi-Zeka, drejtoreshë e kësaj shkolle, ka thënë se ndërprerja e grevës nuk është bërë për asgjë tjetër përpos për të mirën e nxënësve.

Ai ka thënë se ka tendenca për thyerje të grevës, por se ajo do të vazhdojë.

“Kemi tendenca të papara në këtë kohë për të bërë përçarje në këtë kohë, por greva është unike dhe nuk thyhet dot”, ka thënë ai në TV Dukagjini.

“Unë po them sonte i kam thënë vëlla sepse është traditë e shqiptarit që t’i drejtohet si vëllai me vëlla. Ishte lutja ime që kryeministri të reflektojë”, deklaroi i pari i SBASHK-ut.

Jasharaj ka mohuar që në takimin e sotëm me Kurtin të jetë përmendur ndonjë shumë e pranueshme si kompromis për t’i dhënë fund grevës së nisur më 25 gusht, duke thënë se qëndrojnë prapa kërkesave për 100 euro shtesë dhe pjesëmarrje në dialogun social.

I pari i SBASHK-ut ka thënë se sonte kanë mbajtur mbledhje me këshillat lokalë të sindikatës, ku janë përcjellë qëndrimet e tyre.

“Qëndrimi i tyre ishte se Kurti nuk ka ofruar asgjë. 50 euroshi është nga pakoja sociale, neve nuk na kanë ofruar asgjë”, deklaroi Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se sapo të qetësohet situata të gjithë ata që e kanë etiketuar atë si pjesë të partive politike, do të përballen me padi.