Shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se komuniteti ndërkombëtar dëshiron një zgjidhje të shpejt të çështjes së Kosovës, kjo pasi dy emisarët e Macron dhe Scholz të angazhuar për dialogun kanë propozuar një kornizë të re të bisedimeve në Bruksel.
Petkoviq thotë se ngutia e tyre është shkaku i luftës në Ukrainë, raporton Kosovo-Online.
“Ata nuk mund të lejojnë asnjë konflikt të ri dhe trazira në kontinentin e Evropës. Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar vazhdimisht dhe ka thënë se, ata duan të hedhin poshtë argumentet e përdorura nga Presidenti Vladimir Putin kur flet për precedentin e Kosovës, për njohjen e vendeve perëndimore në mënyrë për të justifikuar veprimet e tij në Ukrainë. Prandaj presidenti Vuçiq thotë se Serbia është dëm kolateral i konflikteve mes të mëdhenjve dhe të fuqishmëve në botë. Sa më shumë të thuhet për Kosovën në kontekstin e luftës në Ukrainë, aq më keq është për ne”, tha Petkoviq.
Ai theksoi se takimi mes Vuçiqit dhe të dërguarve të Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz ishte i vështirë dhe se Serbia po lufton për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Serbia, shton ai, “kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ne duhet të mendojmë për njerëzit tanë që jetojnë atje”.