​Ministria e Drejtësisë i reagon KPK-së: S’do të heshtim ndaj performancës së dobët

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Albulena Haxhiu po punojnë me agjenda politike, duke thënë se asnjëherë nuk do të heshtin ndaj performancës së dobët të gjyqësorit.

Në reagim thuhet se deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor mbi mundësimin e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit, duke kujtuar se pavarësia reflektohet në vendimmarrje dhe jo në numër final të gjeneruar nga vetë prokuroritë dhe gjykatat.

“Sistemi gjyqësor kundërshton këto statistika dhe pretendon në një realitet tjetër. Po kush mund ta dijë cilat janë statistikat e vërteta të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial? Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpien te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do t’i lejohej veprim tjetër. Qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve. Qasja në statistika nuk kërcënon pavarësinë e gjyqësorit”, thuhet në reagim.

Ministria e Drejtësisë kërkon një gjyqësor të pavarur dhe me veprim të bazuar në ligj, duke thënë se Qeveria dënon veprimet jo të ligjshme e të ndikuara të sistemit gjyqësor.

“Veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura sot gjatë konferencës për media, janë të shkruara dhe të hapura për publikun. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj reformës dhe ndryshimeve të domosdoshme në sistemin e drejtësisë, në raport me kërkesën e votuesve e nevojën e qytetarëve. Për këtë qëndrojmë të hapur ndaj bashkëpunimit ndër institucional por, assesi nuk do të heshtim ndaj rezultatit e performancës së dobët, që rezulton me veprime e reagime kërcënuese ndaj mirëqenies”, përfundon reagimi.

Reagimi i MD-së vjen pasi Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit sot thanë se prononcimet publike të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale.

Ndërsa, kryeministri Kurti sot në një konferencë tha se sipas të dhënave për rastet e dhunës seksuale, mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.

Ai tha se mbi 85% e këtyre rasteve, viktimat ishin vajza të mitura dhe rreth 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste. Më tej, ai tha se 70% të prokurorëve kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste.

Kurti tha se nëse kryerësi ka qenë i dënuar për vepra penale dhe ndërkohë gjendet i lirë, atëherë kjo dëshmon dështimin e zinxhirit institucional. Për këtë arsye, sipas tij, vettingu është alternativa e vetme për sistemin gjyqësor e prokurorial.