Situata politike vazhdon të jetë shumë kaotike.
Mosmarrëveshjet pozitë-opozitë, sulmet ndaj njëra-tjetrës, mungesa e bashkëpunimit në çështje me rëndësi të madhe shtetërore, kanë bërë që të ketë ngecje në zhvillim të mëtutjeshëm.
Një nga situatat më serioze dhe më të ndjeshme, padyshim së është ajo në veri të vendit, ku së fundmi kishte tensione dhe trazira, të cilat shkaktuan panik.
E në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, në një intervistë për “Bota sot” foli ish-deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni, e cila së fundi aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje.
Fillimisht, ajo u shpreh se kryeministri Kurti me të drejtë e ka vënë në pah rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës nga Serbia, duke mos përjashtuar edhe luftën.
Sipas saj, opozita më shumë është fokusuar të bëjë dallimin dhe të kundërshtoj vetëm kur bëhet fjalë për tema të nivelit nacional siç janë për shembull vendimet për reciprocitet dhe çështje tjera të dialogut me Serbinë.
Pavarësisht, tensioneve dhe kërcënimeve të Beogradit, Limani-Hajnuni potencoi se veriu duhet të futet nën kontrollin ligjor përmes mekanizmave ligjor të shtetit.
Krahas kësaj, ajo komentoi edhe vendimin e kryetarit të ish-partisë së saj, Lumir Abdixhiku për refuzimin e takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Znj. Limani-Hajnuni si e komentoni situatën politike në vend, një pjesë e opozitës dhe disa analistë po e akuzojnë Kurtin për luftënxitës?
Vlora Limani-Hajnuni: Problemet e fundit në veri nuk ndodhën sepse kështu deshi Kurti ose Qeveria e Republikës së Kosovës, por sepse Serbia zhvillonte propagandë të fuqishme me deklarata luftënxitëse, të cilat mbillnin frikë e urrejtje ndëretnike. Ne të gjithë do donim që mos të flitet më kurrë për luftën, por kjo nuk varet nga Kosova sikur që nuk është varur nga Ukraina, luftë të cilën Rusia e ka nisur. Prandaj, mendoj që kryeministri ka vepruar drejt kur ka vendosur në pah rrezikun që mund të vijë nga Serbia. Sepse ky rrezik është real.
Kauza e opozitës se Kosova po humbë ekonomikisht nga deklaratat e z.Kurti, mendoj që nuk mund të përdoren si analogji në këtë rast, sidomos jo pas barrikadave të fundit në veri.
“Bota sot”: Si e vlerësoni vërtetë, ka rrezik që Kosova apo qeveria Kurti të mund të nxisë dhu në-luftë në veri?
Limani-Hajnuni: Vendimet e reciprocitetit që Qeveria dhe Kryeministri po insistojnë t’i zbatojnë janë vendime, të cilat figurojnë në marrëveshjet e mëhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe janë vendime që tashmë kanë marrë mbështetje ndërkombëtare, janë vendime legjitime që secili shtet në botë do t’i zbatonte përmes mekanizmave ligjor. Prandaj, nuk e kuptoj se si një Qeveri e një shteti sovran që dëshiron me vendos rend dhe ligj në territorin e vet mund të nxis konflikt ose luftë. Fundja, për rend e ligj unë besoj që janë shumica e qytetarëve serbë në veri të vendit.
“Bota sot”: A konsideroni se niveli i bashkëpunimit pozitë-opozitë është në nivel të duhur?
Vlora Limani-Hajnuni: Dallimi pozitë-opozitë do të duhej të vërehej në tema të brendshme, të cilat janë më se të mjaftueshme të diskutohen, por assesi në tema të nivelit nacional. Fatkeqësisht opozita më shumë është fokusuar të bëjë dallimin dhe të kundërshtoj vetëm kur bëhet fjalë për tema të nivelit nacional siç janë për shembull vendimet për reciprocitet dhe çështje tjera të dialogut me Serbinë.
“Bota sot”: Kosova po përballet me kriza të shumta, si ekonomike, Energjetike etj. A janë këto kriza edhe si pasojë e mosqeverisjes së duhur apo më shumë janë globale, si shkak i luftës Ukrainë-Rusi?
Vlora Limani-Hajnuni: Jo vetëm Kosova, mendoj që bota po përballet me krizë ekonomike, energjetike etj. Thjesht lufta në Ukrainë ka shkaktuar kaos ndërkombëtar dhe Kosova nuk mund të bëjë përjashtim këtu.
“Bota sot”: Gjithashtu, një situatë jo mjaft e mirë është edhe në veri të vendit, ku ditë më parë kishte thuajse trazira, nga bllokimi i rrugëve të shumta. A mendoni se po vihet në rrezik stabiliteti i vendit dhe i rajonit?
Vlora Limani-Hajnuni: Veriu duhet të futet nën kontrollin ligjor përmes mekanizmave të shtetit. Frika se mos po destabilizohet vendi nuk mund ta arsyetoj mosmarrjen e vendimeve të cilat, nëse më pyet, po, janë vendime të vështira. Ajo çfarë të gjithë ne e kemi kërkuar, besa edhe opozita e ka kërkuar është koordinimi me SHBA-në dhe BE-në, e që kryeministri dhe Qeveria janë duke e bërë.
“Bota sot”: A keni informacione pse ndodhi njëlloj skandali, kur LDK-ja refuzoi ta takonte presidentin e Shqipërisë në Kuvendin e Kosovës, ku ai i takoi partitë opozitare etj.
Vlora Limani-Hajnuni: Ndërtesa e Kuvendit të Republikës do të duhej të konsiderohej vendi më dinjitoz ku një president takon krerët e opozitës. Pse z.Abdixhiku ka menduar ndryshe këtë nuk e di, shpjegimin mund ta jep vetëm ai.