Takimi në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut nuk solli ndonjë marrëveshje. Dakordimi mes palëve ishte që bisedimet të vazhdojnë në ditët në vijim.
Mirëpo publicisti britanik, Tim Judah, e sheh si pozitive edhe faktin që Kurti dhe Vuçiq më në fund u ulën ne tavolinën e bisedimeve.
“Është zhgënjyese që nuk u arrit ndonjë marrëveshje sot, por është ende herët të gjykojmë. E mira është se liderët u takuan pas një viti dhe tani të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, tha ai.
Judah, beson se raportet personale mes Kurtit dhe Vuçiqit po ndikojnë negativisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ishte një fazë kur dialogu po shkonte mirë, por tani duket se ka ngecur. Duket qartë se raportet mes Kurtit dhe Vuçiqit janë shumë të ftohta sepse kjo ka të bëjë me të kaluarën e tyre. Historia tregon se kur Vuçiq ishte ministër i informimit, Kurti ishte i burgosur politik, dhe kjo natyrisht që ndikon në dialog. Ndërsa me Thaçin dialogu kishte progres, sepse ai me Vuçiq pavarësisht dallimeve nga e kaluara e tyre e gjenin gjuhën e përbashkët në negociata”, u shpreh Judah.
Publicisti dhe gazetari i njohur Judah ka folur edhe për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai thotë se askush nuk e kupton se për çfarë asociacioni po bëhet fjalë, prandaj edhe paraqet problem.
“Kosova e ka pranuar asociacionin, por problemi qëndron se ne nuk po e dimë se çfarë është ky asociacion. A është një NGO? A ka fuqi ekzekutive? Apo është një Republika Srpska? Këto dallojnë me njëra tjetrën. Akoma nuk po shoh vullnet politik nga palët që problemi të zgjidhet”, shtoi Judah.