




Numri i qytetarëve serbë që e mbështesnin pavarësinë e Kosovës për një anëtarësim më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian po rritet, pothuajse gjysma e tyre besojnë se Kosova është e humbur dhe se shteti serb nuk ka mundësi të rivendosë kontrollin e plotë mbi Kosovën.
Kështu thuhet në hulumtimin e fundit të realizuar nga Instituti për Çështje Evropiane, duke shtuar se shumica e serbëve nuk e dinë se cili është plani i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, një e pesta e tyre mendojnë se kjo Qeveri do ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke forcuar mendimin se është e nevojshme vendosja e paqes me shqiptarët.





“44.2 për qind e qytetarëve mendojnë se Kosova është e humbur, ndërsa 44.6 për qind janë të mendimit se nuk është dhe 11 për qind janë të pavendosur. Qëndrimin se Kosova është e humbur shprehet në një masë më të madhe nga gratë, të anketuarit e moshës 30-59 vjeç, të anketuarit me nivelin më të lartë të arsimimit, nga Vojvodina dhe popullata urbane”, thuhet në raport.
Po ashtu, aty thuhet se mendimi se Qeveria aktuale e drejtuar nga Aleksandar Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën në masë më të madhe e përfaqësojnë meshkujt.