Gazetari Ridvan Berisha ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisjes së tij duke thënë se Kurti po i konsideron më të rëndësishme problemet globale sesa ato në Kosovë. Ai ka përmendur deklaratat e kryeministrit për luftë me Serbinë, e që sipas Berishës, u fusin frikën qytetarëve.
Berisha ka hedhur vëmendjen edhe te dialogu Kosovë-Serbi, duke i thënë kryeministrit Kurti se nuk mund t’i ikë kësaj përgjegjësie duke dalë me deklarata për lu. ftë.
“Dialogu me Serbinë po të troket çdo ditë, mos krijo çështje të paqena objektivisht për sa kohë që je tash kryeminstër, dialogut nuk mund t’i ikni duke dalë me deklarata për luftë, ndoshta dhe sheh edhe ëndrra për këtë proces, për të cilin ishe i gatshëm për t’i vënë flakën Kosovës! Kjo shoqëri nuk harron kush ishe dje por sot, nesër e tutje pret zgjidhje të mëdha politike nga ju, nga legjitimiteti i juaj 50.01%!”, shkroi Berisha në Facebook.
E nëse kryeministri i vendit dështon që të lidh ura bashkëpunimi me oponentë politikë e të bëjë përpjekje tjera të dobishme, Berisha thotë se nuk do të ketë reprizë të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Postimi i plotë:
Albin Kurti, historiku juaj në jetën publike, shokët e miqtë tuaj të moçëm e konstatojnë katërcipërisht që kaosin e paranojën e ke kryevepër të reflektimit e të filozofisë politike!
Shqetësohesh më shumë për problemet gjeopolitike e gjeostrategjike globale ndërsa qeverisja përbrenda të duket hajgarellëk, punë tepër e vogël për Kosovën me më pak se dy milion banorë.
Pazotësinë për t’u dhënë zgjidhje brengave të qytetarëve e kamulfon me deklarata për luftë me Serbinë. Në vend të idesë për paqe ju e zgjedhni rrugën më të lehtë, frikësimin.
Misioni për liri i UÇK-së mbaroi më 1999, NATO na ndihmoi shumë për liri, pavarësia u kry më 2008, demokracia po funksionon ashtu sikundër dhe pluralizmi në Kosovën e vitit 2022. Çfarë zori ke o burrë i dheut. Qu e ndreqe shëndetësinë, sot, këtë resor praktikisht e ke pa ministër ose me një ministër që më shumë merret me turizëm se sa me shëndetësinë publike.
Dialogu me Serbinë po të troket çdo ditë, mos krijo çështje të paqena objektivisht për sa kohë që je tash kryeminstër, dialogut nuk mund t’i ikni duke dalë me deklarata për luftë, ndoshta dhe sheh edhe ëndrra për këtë proces, për të cilin ishe i gatshëm për t’i vënë flakën Kosovës!
Kjo shoqëri nuk harron kush ishe dje por sot, nesër e tutje pret zgjidhje të mëdha politike nga ju, nga legjitimiteti i juaj 50.01%!
Mendo dhe ëndërro për paqe, bëhu i vendosur e vendimarrës për këtë kauzë fisnike!
Parkoje apo arkivoje paranojën, paragjykimin, ndërto ura bashkëpunimi me oponentët politik e veçanërisht me miqtë tanë!
Ju edhe mund të mos i bëni këto përpjekje të dobishme për kohezionin dhe progresin e brendshëm e të jashtëm por pastaj nuk ka repriza të 14 shkurtit.
Këtë qysh tash e dini shumë mirë!