Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të shkarkojë nga posti i ministrit, Goran Rakiqin që është edhe kryetar i Listës Serbe.
“Çka po pret Albin!?”, ka filluar shkrimin e tij në Facebook Lladrovci, i cili kërkon nga Kurti të ndërmarrë veprime pasi që Rakiq tha se Lista Serbe do të mundohet të rrëzojë Kurtin.
“Pasi Ministri kompetent e profesional e vlerësoi “Listën Serbe” si “parti të devalvuar” dhe parti që “bashkëpunon me grupet kriminale”, çka po pret Albin, shkarko Rakiqin dhe të emëruarit e tij në Qeveri dhe trupat tjera ekzekutive. “Bashkëjetesa” politike me ata që bashkëpunojnë me “grupe kriminale”, është bashkëqeverisje e çoroditur. Ka dy rrugë, ose nuk janë të sakta konstatimet se ata “bashkëpunojnë me grupe kriminale” dhe janë deklarata kuturu, ose ju bashkëqeverisni me bashkëpunëtorët e krimit me vetëdije dhe kështu Ju bëni krim”, shton Lladrovci në shkrimin e tij.
Tutje Lladrovci kërkon së paku një reagim nga ana e Kurtit për kërcënimet e Listës Serbe.
“Çka po pret Albin, së paku përgjigju ndaj kërcënimit të Rakiqit. Vepro, ndryshe, fjalët dhe veprat Tuaja po shkojnë me shpejtësi të frikshme në binarë të kundërt pa gjasa të përpiqen diku!”, përfundoi ai. /Gazeta Express/