Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas tensioneve që pati deri në orët e para të ditës së sotme, ka vendosur ta vizitojë mërgatën në qytetin e Podujevës.
Kurti në një fjalë rasti ka falenderuar bashkatdhetarët që ishin mbledhur aty, për kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë së vendit, përcjell Periskopi.
“Të dashur bashkatdhetarë, falemnderit që na keni bërë bashkë këtu pranë përmendoreve të heronjve dhe dëshmorëve, të atyre që dhanë gjithçka në mënyrë që ne të jetojmë të lirë në atdheun tonë. Ju falemnderit posaqërisht juve mërgimtarëve që asnjëherë nuk po e harroni Kosovën, dhe po vini këtu për tu çmallur edhe me miq e dashamirë që i keni në vendlindje”.
“Rep. e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, por i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra, mund të thuhet se gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banorë. Ne e kemi diasporën shumë të madhe dhe ajo ka pasë një rol të madh historik në politikë, ekonomi e kulturë. T’u ju falenderu mërgatës, ne e kemi financu luftën çlirimtare edhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave të mëdhaja që i dërgon ajo.”
“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë vjet e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë, mërgata i ka sjellë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliardë e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit. Pra, mërgata jonë gjithsej i kanë sjellë më shumë se 6 miliardë euro për 5 vjet. Kjo tregon se çfarë fuqie e madhe ekonomike për vendin tonë janë ata. Ne jemi të interesuar që ata jo vetëm të vijnë këtu për të sakrifikuar por edhe të përfitojnë duke investuar”.
“Andaj, me luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë nuk do të ketë më as haraq e ryshfet, do të krijojmë kushte të favorshme për bashkatdhetarët tanë që të bëjnë biznes jo vetëm në Evropën Perëndimore, Amerikë e në Australinë e largët por edhe këtu në vendlidje”.
Krejt në fund, kryeministri Kurti tha se çdo shqiptarë që jeton në diasporë është një ambasador duke e marrë shembull kështu ministren, Donika Gërvalla, ku tha se ajo ka ka jetu shumë e shumë vite në mërgatë.
“Me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zv. kryeministren tonë, Donika Gërvalla kemi nisë fushatën që e mbështet edhe MKRS dhe MASHT-i që quhet “Karavani i Diasporës”, kemi nisë dialogun me diasporën dhe gjithashtu fushatën “Shijojeni Kosovën”.
“Jemi të interesuar që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë sa më shumë të mirëpriten në Kosovë, dhe pushimin që e bëjnë këtu ta shfrytëzojnë për ta mësuar shqipen më mirë dhe për tu njoftuar më shumë me kulturën e prindërve të tyre. Andaj, ne besojmë që është i mundshëm integrimi pa asimilim, dhe me ministritë tona do ju ndihmojmë për këtë gjë”.
“Në vecanti e kemi programin diplomacia qytetare, sepse ne konsiderojmë që bashkatdhetari ynë është diplomati më i madh i Kosovës. Çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni”.
“Edhe ministrja jonë e Punëve të Jashtme ka jetu shumë e shumë vite në mërgatë, ajo është vajza e heroit tonë kombëtar, Jusuf Gërvallës, andaj, kjo është kryediplomatja jonë si një bashkëatdhetare e juaj me shumë vite në mërgim”, përfundoi Kurti./ PERISKOPI/