Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka kritikuar sërish qasjen e Qeverisë Kurti ndaj menaxhimit të ekonomisë në vend në një kohë kur ka rritje inflacioni, duke thënë se ajo s’po e merr asnjë masë karshi kësaj çështje.
Ai ka përsëritur propozimin e LDK-së për heqje të përkohshme të akcizës, në çka sipas tij, do të bënte çmimin e naftës rreth 1.25 euro për litër.
“Menaxhimi i situatës së inflacionit nga ana e qeverisë ka qenë katastrofal, asnjë masë nuk është ndërmarrë, përjashtim ndihmën që ka qenë tepër simbolike nga 100 euro për disa grupe të caktuara të popullsisë, asnjë masë tjetër nuk është ndërmarrë, janë marrë masa që janë kundër kushtetuese siç është kundërligjore, si kufizimi i çmimit të naftës… Është shumë e pakuptueshme kur ndërkohë që po flasim bilanci bankar i qeverisë është gati 600 milionë euro, rreth 600 milionë euro që qëndrojnë në llogarinë bankare të qeverisë. Në situatën optimale do të duhej të ishin rreth 370 milionë euro në bilancin bankar të qeverisë, jo më shumë, mbajtja e të gjithë këtyre mjeteve në llogarinë bankare të qeverisë do të thotë ulje të fuqisë blerëse të qytetarëve”, tha Hoti për Kosova Press.
Ish-ministri i Financave, ndonëse e ka cilësoi si shumë të dobishme marrëveshjen me MCC-në, e kritikoi për vonesë Qeverinë.
“Shumë e dobishme sigurisht, pa asnjë dyshim kjo tregon partneritetin në mes të dy vendeve por vonuan gjithsesi dhe kjo marrëveshje ka qenë e gatshme të nënshkruhej para dy viteve… Ndër kushtet kryesore ka qenë lufta me korrupsion dhe ne u kualifikuam aty dhe kanë filluar mandej studimet e fizibilitetit qe kanë mbaruar nivelin e vitit 2020, dhe në shtator të 2020 unë kam dërguar letër përgjigje realisht MCC në bazë të kërkesës së tyre për t’u përcaktuar për projektet e propozuara nga studimi i fizibilitetit MCC. MCC ka qenë i përfshirë termocentrali me gaz, rrjeti i gazit, përmirësimet në rrjetin e distribucionit për të zvogëluar humbjet në rrjet dhe bateritë , edhe disa projekte të efiçences e energjisë. Marrëveshjen që tashmë po e shohim po duket që është reduktuar vetëm në akumulim të energjisë dhe bateritë në akumulim të energjisë që realisht i ndihmon në ruajtjen e balancit energjetik kur bien nga sistemi, termocentralet, ose kur ka prodhim të lartë të energjisë përtej konsumit dhe mund të ruhet, por nuk e zgjidh problemin e furnizimit, pra rritjes së kapaciteteve të energjisë”, tha ai.