Ali Sami Yen, shqiptari që ia kushtoi jetën Galatasaray-it dhe futbollit turk.
I biri i Shemseddin Sami Frashërit, njërit prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe asaj turke, Ali Sami Yen (Ali Sami Frashëri), përkujtohet në 71-vjetorin e vdekjes,
Ali Sami Yen i cili është themeluesi i klubit gjigant futbollistik nga Stambolli, Galatasaray, ia ka kushtuar gjithashtu jetën futbollit turk.
Biri i dytë i Shemseddin Samiut, Ali Sami Yen është lindur më 20 maj të vitit 1886 në Stamboll.
Ai shkollim e tij të parë e ka marrë nga babai i tij ndërsa më pas është dërguar në liceun e Galatasaray-it. Yen, gjatë arsimit ka ndjekur nga afër zhvillimet politike, letrare dhe sportive të periudhës. Me një grup shokësh të klasës vendosën të krijojnë një klub futbolli.
Ali Sami Yen dhe shokët e tij në tetor të vitit 1905 krijuan klubin Galatasaray në një klasë të letërsisë. Ai u bë themeluesi numër një i klubit dhe kryetari i parë.
“Qëllimi ynë është të luajmë kolektivisht si britanikët, të posedojmë një ngjyrë dhe emër dhe t’i fitojmë klubet jo-turke”, ishte synimi i themeluesit të Galatasaray-it, Ali Sami Yen.
Ai ka qenë edhe mesfushori i klubit, një futbollist i dalluar në mesin e të tjerëve ndërsa kah fundi i vitit 1907 në një ndeshje kundër klubit nga rrethi Kadıköy i Stambollit të cilin e fituan me rezultatin 3-0 i ishte thyer këmba. Pas kësaj ai nuk arriti të luaj si më parë dhe i dha fund karrierës në futboll.
– 14 vite kryetar i klubit
Ali Sami Yen, plotë 14 vite ishte kryetari i klubit Galatasaray.
Ai nga viti 1905 kur u themelua klubi e deri në vitin 1918, 13 vite pa ndërprerë ishte kryetari i klubit ndërsa më vonë në 1925 përsëri u bë kryetar i klubit për një vit.
Ali Sami Yen me sukses e menaxhoi Galatasaray-in në një periudhë të vështirë për Perandorinë Osmane dhe në periudhën kur ndodhte Lufta e Parë Botërore.
Ai gjithashtu bëri punë të rëndësishme për zhvillimin e fushave të ndryshme të sportit në Turqi.
– Trajneri i parë i kombëtares së futbollit të Turqisë
Ali Sami Yen, gjithashtu është edhe trajneri i parë i kombëtares së futbollit të Turqisë.
Pasi Turqia u anëtarësua në FIFA, ndeshjen e parë e luajtën më 26 tetor 1923 në stadiumin “Taksim” Stamboll kundër Rumanisë.
Turqia nën drejtimin e Ali Sami Yen barazoi 2-2 me Rumaninë.
Ai gjithashtu ka qenë kryetari i parë i organizatës së parë sportive në Turqi të themeluar në vitin 1922 si dhe kryetari i Komitetit Kombëtar Olimpik të Turqisë.
Ali Sami Yen u bë themeluesi i muzeut të parë sportiv si dhe shkrimtari i librit të parë të futbollit në Turqi.
Ndërroi jetën në moshën 65-vjeçare, më 29 korrik 1951.