Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vlerëson se deri në konstituimin e Qeverisë së pakicave, e udhëhequr nga Dritan Abazoviq, ajo paraprake në krye me Zdravko Krivokapiqin ishte më e keqja në histori të këtij vendi.
Mirëpo, kreu i shtetit malazes konsideron se me disa nga vendimet që ka marrë së fundi Abaazoviq, qeveria e tij do të jetë edhe më e keqe.
Në një intervistë për portalin nga Vojvodina “Autonomija”, të mërkurën, Gjukanoviq tha se kushdo që ia ka mësyrë ta rrëzojë qeverinë e vet, e ka bërë këtë.
“Lëvizjet e Abazoviqit do të gjykohen nga votuesit, gjykatat dhe historia”, u shpreh ai.
Mllefi i tij ka të bëjë sidomos me firmosjen nga Abazoviqi të Marrëveshjen themelore me Kishën Ortodoksse Serbe.
Abazoviq tha se ky është “një hap drejt pajtimit të brendshëm në Mal të Zi”, por Gjukanoviq dhe partia e tij e quajnë tradhti.
Gjukanoviq ka thënë se Abazoviq po punon sipas urdhrave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të prishur mundësinë që ky vend të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2025.
“Që nga momenti i marrjes së detyrës së kryeministrit, Abazoviqi në mënyrë shumë më efektive se paraardhësi i tij, vazhdoi të bënte lëvizje të sakta kirurgjikale të hartuara në kabinetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të gjitha me synimin për ta paraqitur Malin e Zi si politikisht dhe ekonomikisht vend të paqëndrueshëm dhe një anëtar jo i besueshëm i NATO-s”, tha Gjukanoviq.
Në fakt, me mbështetjen e deputetëve të partisë së tij, DPS, Abazoviq edhe arriti të bëjë Qeverinë e pakicës. DPS-ja ka 29 deputetë nga 81 sa numëron Kuvendi i Malit të Zi.
Insiston se nuk gaboi kur ia dha besimin liderit të lëvizjes URA, që ka vetëm 4 deputetë, për të formuar Qeverinë.
Ai nuk deshi të komentojë në konstatimin e portalit “Autonomija” se Abazoviqi “po punon më shumë për interesat e Beogradit se sa të Podgoricës”.
“Unë nuk do t’i bashkohesha korit të supozimeve.
Në vend të kësaj, do të them diçka për të cilën jam absolutisht i sigurt: qeveria ka ndryshuar prioritetet evropiane që duhet të ishin një platformë motivuese për homogjenizimin e burimeve njerëzore dhe politike.
Ka vendosur në plan të parë marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe, që si temë është dëshmuar pafundësisht se ka thelluar ndarjet në shoqëri.
Kjo nuk është në interesin e Malit të Zi”, ka shtuar Gjukanoviq.
Po çfarë përmban marrëveshja e Qeverisë së Malit të Zi me Kishën Ortodokse Serbe?
Sipas asaj që është firmosur, ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend – gjë që i përjashton ato nga juridiksioni.
Po ashtu qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Iuftës së Dytë Botërore.
Marrëveshja po ashtu përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj.