Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thënë se për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës është i nevojshëm vullneti nga të dy anët e kufirit.
Ai shtoi se kryeministri shqiptar Edi Rama, është shumë i vendosur që hekurudha Prishtinë-Durrës të jetë e gatshme sa më shpejt, duke theksuar se është “brinja e parë që lidh trupin amë me Kosovën”.
“Ky është një projekt i Qeverisë qendrore dhe do të duhet vullnet në të dy anët e kufirit dhe me Qeverinë e Kosovës. E di që kryeministri ynë është shumë i vendosur dhe siç i ka shkuar çdo pune deri në fund do t’i shkojë edhe sa i përket hekurudhës Prishtinë-Durrës, duke pasur parasysh se tashmë është tenderuar segmenti Tiranë-Durrës”.
“Unë besoj që aty do të ndërtojmë një etalon atë shtyllën kurrizore të parë, brinjën e parë që na lidh me trupin amë do të jetë me Kosovën”, tha ai.
Ai në këtë intervistë ka folur edhe për bashkëpunimin me Kosovën në sferën e kulturës ku Tirana do të bashkë financojë Dokufest dhe Prifest në Prizren e Prishtinë.
Sipas tij, me këtë rast përfituesit pas qytetarëve të Prishtinës janë edhe ata të Tiranës.
“Në bashkëpunim me Kosovën këtë verë do të bashkë financojmë Dokufest dhe Prifest edhe në Prizren e Prishtinë. Për aq kohë sa ambasada e Luksemburgut dhe e Norvegjisë është në rregull të ndihmojë në një aktivitet kulturore duhet të jetë në rregull që Tirana të kontribuojë”.
“Mendoj që përfituesit pas qytetarëve të Prishtinës janë ata të Tiranës ku çdo aktivitet që ndodh në Prishtinë tërheqin në interes të jashtëzakonshëm e që i shërben qytetarëve”, tha Veliaj.
Ai tregoi edhe për projektet e Bashkisë së Tiranës, duke shtuar se do të fillojnë me Teatrin Kombëtar, Terminalin e Autobusëve dhe Kopshti Botanik.
“Kemi disa projekte të jashtëzakonshme në Tiranë këtë vit. Pasi kemi kryer stadiumin sheshin, pazarin Kalanë, kopshtin zoologjik më të bukur në Ballkan me vazhdu me një bateri tjetër projektesh. Ne do të fillojmë teatrin kombëtar dhe politika është futur në mes të atij, por Tiranës i duhet një teatër për 100 vjetet e ardhshme”.
“Këtë vjeshtë do të hapim terminalin e madh të autobusëve lindor dhe poashtu edhe terminalin verior. Në projekt tjetër është kopshti botanik. Dhe Tirana e fëmijëve është ndër arritjet tona më të mëdha”, tha Veliaj.